Sa i përket kallëzimeve penale ndaj nipërve të Ali Ahmetit lidhur me koncesionin mineral, partia shqiptare në pushtet VLEN u bën apel organeve gjyqësore që të veprojnë vetëm në bazë të ligjit, të lirë nga ndikimi politik dhe të japin drejtësi bazuar në provat e paraqitura në mënyrë të drejtë dhe me procedurë transparente.
“Ligjet duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike. Rikthimi i besimit në sistemin e drejtësisë nuk duhet të reduktohet në politikë ditore. Nuk na gëzon fakti që një parti politike si BDI-ja lidhet me dyshime të rënda dhe indikacione për raste të shumta të korrupsionit politiko-familjar. Këto rrethana rrënuese i hedhin njollë të gjithë shqiptarëve. Dyshimet e tilla janë një tjetër argument plus se BDI duhet të reformohet sa më shpejt dhe të fillojë të veprojë si një opozitë konstruktive. Është detyrimi ynë si VLEN që të mos lejojmë që kjo kryesi e BDI-së e mbërthyer në të kaluarën të përpiqet t’i bëjë shqiptarët mburojë për skandalet e tyre korruptive”, njofton VLEN.