Afaristi i njohur shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sahit Muja, ka shprehur mbështetjen e tij të fuqishme për kryetarin e Kuvendit Republikan, Afrim Gashi. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Muja vlerëson lartë angazhimin e Gashit dhe rolin e tij të rëndësishëm në politikën e Maqedonisë së Veriut.

“Emri yt shkëlqen fuqishëm në mozaikun e historisë që po shkruhet në Maqedoni. Me çdo hap që hedh në politikë, mbjell farat e progresit dhe ushqen ëndrrat e popullit tonë,” ka shkruar Muja në komentin e tij. Ai përgëzon Gashin për përkushtimin dhe guximin e treguar përballë sfidave të shumta, duke theksuar se Gashi po ndihmon në ndërtimin e një epoke të re të mbushur me premtime dhe rigjallërim për vendin.

Sahit Muja, i njohur për kontributin e tij në botën e biznesit dhe mbështetjen për çështjet shqiptare, e konsideron Afrim Gashin si një udhëheqës me vizion të qartë, që punon për drejtësi, barazi dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. Ai shpreh bindjen se lidershipi i Gashit do të kontribuojë në përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.