Shkup, 18 tetor – Qeveria në seancën e djeshme i ka dhënë afat tre muaj Ministrisë së Bujqësisë të tregojnë lokacione të mundshme ku mund të vendosen arinjtë, për të cilat periudhën e kaluar kanë alarmuar banorët e Mavrovës. Gjendja me ariun e murrmë, e cila është nën mbrojtje nga gjuetia, ndodhet në rend dite në seancë qeveritare për herë të dytë. Më herët, më 3 tetor, Qeveria shqyrtoi dhe miratoi propozimet e ministrive kompetente për zgjidhjen e problemeve me arinjtë. “Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar Informatat për gjendjen e ariut të murrmë, e cila është nën mbrojtje dhe është e ndaluar për gjueti. Qeveria ka ngarkuar institucionet kompetente që të ndërmarrin masa konkrete në lidhje me informacionin e miratuar”, thuhet në njoftim pas seancës së djeshme të Qeverisë.
Detyrimet që ministria duhet t’i zbatojë kanë afate që parashohin përpunimin e një plani aksionar për arinjtë e murrmë, formimin e një ekipi intervenues dhe listë me lokacionet e mundshme për zhvendosjen e tyre. Qeveria njoftoi se për koordinim të aktiviteteve të institucioneve është angazhuar drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojançe Angellov. Në fund të shtatorit, Komuna e Mavrovës dhe Rostushës ka kërkuar nga Qeveria që të shpallë gjendje krize në të gjithë territorin e komunës për shkak të pranisë së shtuar të ariut të murrmë në këto zona dhe rrezikut që paraqet për jetën e banorëve.