Qyteti i Shkupit ka nisur punët përgatitore për kthimin e monumentit të Andon Lazov-Qosetos. Në rrethrrotullimin afër hotelit “Kontinental” është vendosur tabela se Qyteti i Shkupit dhe NP “Rrugë dhe rrugica” do të kryejnë punë ndërtimore për vendosjen e monumentit. Ka nisur betonimi në zonën ku do të qëndrojë përmendorja, transmeton Portalb.mk.

Për momentin nga Bashkia nuk ka njoftime se kur do të vendoset monumenti.

Vendimin për t’ia kthyer monumentin kontroversit Andon Lazov-Qoseto (1855-1953) me kamë në dorë, i njohur në histori si likuiduesi i VMRO-së, i cili vrau edhe vëllain e vet, e ka marrë Këshilli i Qyteti u Shkupit dhjetorin e kaluar. Kryetarja Danela Arsovska pak muaj pas marrjes së detyrës njoftoi se do ta kthejë Qoseton. Këshilltarët nuk e votuan dy herë kërkesën e saj, por vitin e kaluar kërkesa u miratua. Për kthimin e monumentit votuan 15 këshilltarë nga VMRO-DPMNE, 4 nga e Majta, nga një nga Lidhja Demokratik, Grom dhe këshilltarja Irena Vitina e cila u largua nga VMRO-DPMNE dhe mbështet Arsovskën. Sipas vendimit të votuar, monumenti në vend të kompleksit të gjykatave do të vendoset në lokacion të ri, pranë rrethrrotullimit në bulevardin Aleksandar Makedonski afër hotelit “Kontinental”.

“Kjo është një figurë historike jashtëzakonisht e rëndësishme dhe një nga revolucionarët më të mëdhenj maqedonas, monumenti i të cilit është hequr padrejtësisht dhe ilegalisht nga udhëheqja e mëparshme e qytetit. Nuk do të lejojmë që përmendorja e revolucionarit maqedonas të ndryshket nëpër depo, prandaj apelojmë që kjo pikë të futet në rend dite në Këshillin e Qytetit të Shkupit dhe të votohet menjëherë”, ka shkruar Arsovska para votimit të vendimit.

Përmendorja e Qosetos ishte vendosur para kompleksit të gjykatave në kohën e ish-kryebashkiakut Koce Trajanovski dhe kur Petre Shilegov mori detyrën, ai u hoq dhe në vend të tij u mboll një dru.