Shoqata e personave me nevoja të veçanta “SOS VITA” – Shkup kërkon nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, por edhe Bashkësive tjera fetare që kërkesa e tyre që në objektet fetare të ketë qasje dhe vendkalim për personat me nevoja të veçantë, sepse kjo sipas kryetarit të kësaj shoqate, Ertan Shaqiri, është e drejtë e garantuar ndërkombëtarisht.

Sipas Shaqirit është për të ardhur keq se si ka mundësi promovohen projekte me vlera qindra mijëra euro, ndërsa nga ana tjetër nuk janë planifikuar vendkalime për karrocat me të cilat lëvizin personat me nevoja të veçanta.

“Duhet ta ketë parasysh edhe kryetari i BFI-së, por edhe Kisha Ortodokse që duhet të kenë vendkalime për personat me nevoja të veçanta, sepse edhe ata janë njerëz. I bëj apel edhe kryeministrit të vendit që ta ketë parasysh këtë punë, se kur të bëhet një investim 600 apo 700 mijë euro, ta ketë parasysh se personat me nevoja të veçanta do të kërkojnë të drejtën e tyre.”, – deklaroi kryetari i Organizatës “SOS VITA”, Ertan Shaqiri.

Shoqata “SOS VITA” numëron 425 anëtarë dhe sipas Shaqirit, nëse kjo kërkesë nuk merret për bazë dhe kërkesa e tyre hasë në vesh të shurdhur, ai do të ngrit një iniciativë që në bashkëpunim me disa organizata maqedonase ta kërkojnë të drejtën e tyre përmes një proteste masive. Sipas tij, me këtë problem ballafaqohen jo vetëm në objektet fetare, por edhe në institucionet e vendit. /RTVM2