Gjykata Themelore Penale e Shkupit shqiptoi dënime me burgim dhe një dënim me kusht për të akuzuarit të cilët dje e pranuan fajësinë në rastin “Zinxhiri”, i cili ka të bëjë me evazion fiskal. Ata akuzohen për bashkim kriminal, pastrim parash dhe evazion fiskal. Procedura vazhdon për 11 të pandehurit e mbetur të cilët u deklaruan të pafajshëm.

I pandehuri i parë Sasho Vuçkov mori dy vjet e gjysmë burg dhe dy mijë euro gjobë, babai i tij dy vjet burg dhe një mijë euro gjobë, nëna e të pandehurit të parë mori një vit e njëmbëdhjetë muaj burg dhe një mijë euro gjobë. Dy të akuzuarit e tjerë, të cilët e pranuan fajësinë, morën nga dy vjet burg dhe një mijë euro gjobë. Vetëm njëri nga gjashtë personat që e kanë pranuar fajësinë dje para Gjykatës, Jeton Kaba, është dënuar me burgim me kusht prej dy vitesh, nëse nuk kryen vepër penale në pesë vitet e ardhshme dhe një mijë euro gjobë. Të gjithë të pandehurit duhet të kompensojnë edhe dëmin, pra të paguajnë taksën.

Për gjashtë kompani, përfaqësuesit e të cilave gjithashtu u deklaruan fajtorë dje, gjykata vendosi gjoba, por edhe ndalime për pjesëmarrje në thirrje publike dhe koncesione.

Sipas përmbajtjes së dispozitivit të aktakuzës, të pandehurit, në cilësinë e pronarëve dhe menaxherëve të firmave, në periudhën prej 01.01.2019 deri më 31.12.2021, në emër dhe për llogari të personave juridikë penalisht përgjegjës nën pronësi dhe menaxhmenti i tyre, nuk llogaritnin dhe paguanin tatimin – detyrë për të cilën ata ishin të detyruar ligjërisht. Në këtë mënyrë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, të dyshuarit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të RMV në vlerë të përgjithshme prej 490.808.618,00 denarë ose 7.9 milion euro. Paratë e fituara me vepra penale në vlerë të përgjithshme prej 40.046.815 denarë, i kanë lëshuar në qarkullim, i kanë pranuar dhe transferuar, më pas i kanë tërhequr në para të gatshme.