Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, si deputet aktual i ka dorëzuar ndryshimet në Ligjin për organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore, me qëllim që të votohet qeveria e re e riorganizuar dhe të zgjidhen anëtarët e saj.
Ligji me të cilin do të formohen ministritë e reja, siç tha Mickoski, do të miratohet pas procedurës së shkurtuar dhe pritet të votohet të hënën ose të martën.
Për të do të kërkohet një shumicë prej dy të tretash, por kreu i partisë fituese në zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar nuk dha detaje se nga ku do të gjejë mbështetje nga disa deputetë të tjerë.
Seanca për ndryshimet në ligj, sipas burimeve parlamentare, duhet të mbahet të premten më 7 qershor dhe më pas çështja të kalojë në komisione parlamentare. Mickoski u bëri thirrje 120 deputetëve të votojnë për ndryshimet.
“Ky ka qenë një premtim zgjedhor, identik me atë që kemi dhënë se qeveria e ardhshme do të jetë me partitë opozitare (pa BDI). Me këtë ligj të ri, i cili është dorëzuar në arkiv, parashikohet që të formohen dhe riorganizohen një numër i caktuar ministrish.
“Ne nuk jetojmë në stereotipe. Stereotipet janë një gjë e së kaluarës. Ne të gjithë kemi një qëllim të përbashkët – si të bëjmë një vend më të mirë për të jetuar qytetarët tanë. Kredibilitet dhe legjitimitet na e dhanë qytetarët në zgjedhje dhe këto janë reforma në të gjitha aspektet”, tha Mickoski.
Me ndryshimet, do të formohen Ministria e Ekonomisë dhe Punës, Ministria e Demografisë, Çështjeve Sociale dhe Rinisë, Ministria e Sporteve, Ministria e Minierave dhe Energjetikës, Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Ministria e Dixhitalizimit dhe Ministria e Administratës.