Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, nisi vizitën e tij në selinë e NATO-s në Bruksel me një takim me Ambasadorin Dane Taleski, përfaqësuesin e vendit në Aleancë. Gjatë takimit, u diskutuan detajet e angazhimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe kontributet konkrete për sigurinë dhe stabilitetin në nivel rajonal dhe global.

Gashi theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me NATO-n dhe angazhimin e palëkundur të Maqedonisë së Veriut për të mbështetur misionet dhe operacionet e Aleancës. Ai nënvizoi rolin aktiv që vendi synon të luajë në përballimin e sfidave të sigurisë, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare.

Kryetari i Kuvendit rikonfirmoi se Maqedonia e Veriut mbetet një partner i besueshëm në kuadër të Aleancës dhe e përkushtuar për përmbushjen e objektivave strategjikë të NATO-s.