Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërjen e mëparshme, në seancën e mbajtur më 11.07.2023, miratoi Strategjinë për Reformën e Administratës Publike 2023 – 2030 dhe Planin e Veprimit 2023 – 2026 për të njëjtën Strategji, mëson INA përmes dokumentit të siguruar.
Qeveria atëkohë në Strategjinë e saj, përcaktoi se “… tejkalohet nevoja e aplikimit të mjetit balancues, i cili në praktikë shkakton keqpërdorime të shumta…”.
Në tekstin e plotë të seksionit të Strategjisë së Qeverisë për Reformat e Administratës Publike 2023-2030 thuhet: “…parimi i qasjes së barabartë në çdo vend pune, parimi i ekspertizës dhe kompetencës dhe parimi i barazisë gjinore duhet të jenë parësor dhe të zbatohen vetëm në të gjithë procesin e përzgjedhjes, punësimit dhe avancimit në të gjitha nivelet në administratën publike, ndërsa në fazën para marrjes së vendimit të përzgjedhjes, natyrisht që duhet të merret parasysh parimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të pjesëtarëve të komuniteteve. Në këtë mënyrë nga njëra anë tejkalohet nevoja e përdorimit të mjetit të quajtur “balancues”, i cili në praktikë shkakton keqpërdorime të shumta…”.
Gjatë javëve të kaluara u hap një debat për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e aplikimit të Balancuesit. Në këtë debat opozita akuzoi Qeverinë e re për një deshqiptarizim të qëllimshëm dhe të shënjestruar, ndërsa partitë në pushtet nga koalicioni VLEN akuzuan për mashtrim dhe shkaktim të qëllimshëm problemesh politike nga përbërja e vjetër e Gjykatës Kushtetuese e zgjedhur me votat e BDI-së dhe LSDM-së.
Qeveria e kaluar me vendimin për miratimin e Strategjisë së Reformës së Administratës Publike 2023-2030 hapi debatin dhe nevojën që Gjykata Kushtetuese të merrte vendimin për rishikimin dhe ngrirjen e Balancuesit.
Siç mëson INA, këtë seancë të qeverisë e drejtoi Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja, por të pranishëm ishin ministrat e BDI-së, Fatmir Besimi dhe Jeton Shaqiri.
Madje, Qeveria në përbërjen e mëparshme kishte dhënë një konkluzion shtesë për të obliguar ministritë që të përcaktojnë koordinatorët për zbatimin e kësaj Strategjie dhe reforme.