Kreu i Alternativës, pjesë e koalicionit VLEN, Afrim Gashi, mohoi se e ka nënshkruar letrën të cilën e publikoi Ali Ahmeti para disa ditësh, e që ka të bëjë me kushtëzimin e qeverisë me ndryshimet kushtetuese.

Gashi shtoi se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, po kërkon rrugë për të qëndruar në pushtet.

“E pasaktë. Nëse është e vërtetë, ai duhet ta tregojë atë letër. Ku është ajo letër? Nëse e ka, le ta tregojë. Ai po lexonte një letër që ne e kemi parë, ka qarkulluar në qarqe të caktuara, por pa nënshkrimin tonë. Ai mund të ketë firmosur, por nuk ka një letër të tillë. Ai po ëndërron, kërkon mënyra se si të qëndrojë në pushtet, por shqiptarët i thanë se duhet të shkojë në opozitë dhe këtë duhet ta pranojë. Loja ka përfunduar”, thotë Gashi.

Kryetari i Alternativës tha se në takimin e pare, VMRO-DPMNE-ja ka përsëritur qëndrimin e programit zgjedhor se nuk kanë problem me bullgarët në Kushtetutë, por kanë problem me garancitë.

“Në politikë ka gjithmonë zgjidhje dhe kompromise. Më besoni se zgjidhjet po gjenden. Mendoj se duhet të ulemi dhe të bëjmë një diskutim thelbësor dhe të sinqertë dhe mendoj se do të gjendet një përgjigje”, thotë ai.