Vetëm pak ditë pasi nisi, “skema historike” e Italisë për dërgimin e azilkërkuesve në qendra të ndalimit në Shqipëri ka ngecur.

Njësia e imigracionit në Gjykatën e Romës vendosi të premten se emigrantët e dërguar nga Italia në Shqipëri nuk mund të paraburgosen. Kjo do të thotë se ata duhet të lirohen – por meqenëse s’mund të lirohen në Shqipëri shkaku i marrëveshjes – ka të ngjarë të kthehen në Itali, raporton “Politico”.

Qendrat të cilat janë ndërtuar në Gjadër, disa kilometra larg portit të Shëngjinit, u bën funksionale të mërkurën kur 16 emigrantë nga Bangladeshi dhe Egjipti mbërritën me anije nga Italia.

Por pak pasi përfundoi procesi i identifikimit, katër prej tyre u desh të ktheheshin në Itali. Sipas marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë, në qendrat shqiptare mund të dërgohen vetëm meshkujt e rritur që nuk konsiderohen vulnerabël dhe që vijnë nga “shtete të sigurta”. Në Shqipëri mund të dërgohen vetëm emigrantët nga lista prej 22 shtetesh që Italia i ka cilësuar si “shtete të sigurta”. Egjipti dhe Bangladeshi janë në mesin e këtyre shteteve.

Menjëherë pasi mbërritën, dy emigrantë u zbuluan se ishin nën 18 vjeç dhe dy të tjerë kishin probleme shëndetësore.

Tani, edhe 12 të mbeturit duket se do të kthehen në Itali, sipas vendimit të Gjykatës.

Gjyqtarët në Romë cituan vendimin e 4 tetorit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, duke thënë se vendet e origjinës së emigrantëve nuk mund të kërkohen “si të sigurta” – siç thuhet në marrëveshjen mes dy shteteve.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e ka përshkruar vendin që udhëheq si “model” për politikën e emigracionit pasi arriti marrëveshje me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për të dërguar deri në 36 mijë emigrantë në vit në qendrat shqiptare.

Partia anti-imigrante “League”, e cila është pjesë e koalicionit të Melonit, e quajti vendimin e gjykatës “serioz dhe të papranueshëm”.

Grupet e të drejtave të njeriut e mirëpritën vendimin.

“Në një kohë kur udhëheqësit e BE-së synojnë të shtrembërojnë rregullat, sensin e shëndoshë dhe vlerat themeluese të bllokut, është inkurajuese të shohësh gjykatësit italianë që mbështesin sundimin e ligjit”, ka thënë Judith Sunderland, drejtore për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Human Rights Watch”.

Dy shtetet ende nuk e kanë komentuar vendimin dhe hapat që do t’i ndërmarrin tutje.