“Shqipëria e konsideron Nismën për Evropën Qendrore një nxitëse të dialogut politik, vlerave demokratike, sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal”, tha Spiropali

Në Shqipëri është mbajtur mbledhja e Asamblesë Parlamentare të Nismës për Evropën Qendrore, në kuadër të presidencës shqiptare të kësaj nisme, raporton Anadolu.

Aktiviteti është organizuar nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në sallën e seancave plenare, ndërkohë të pranishëm ishin edhe deputetë, ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave.

Në fjalën e saj në hapje të mbledhjes, kryeparlamentarja Spiropali, u shpreh se Evropa Qendrore është një ndër zonat më të bukura të globit, sipas saj me potenciale të mëdha zhvillimi dhe mirëqenieje, por edhe me ambicie të dukshme të popujve për progres, bashkëpunim, mirëkuptim dhe paqe.

“Ne mblidhemi sot në Kuvendin e Shqipërisë 35 vjet pas themelimit të kësaj nisme e cila ka për qëllim bashkimin dhe mbështetjen reciproke të vendeve tona drejt vlerave të përbashkëta evropiane. 28 vjet pasi iu bashkua kësaj nisme Shqipëria është sot një anëtare aktive dhe protagoniste e spikatur për nxitjen e ndërveprimit mes anëtarëve të nismës dhe organizatave të tjera rajonale, kontinentale dhe globale”, tha ajo.

Spiropali theksoi se Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë dëshmuar vizion, përgjegjshmëri, partneritet dhe një prirje për të avancuar drejt përmbushjes së misionit, qëllimit dhe vlerave themelore të nismës.

“Presidenca shqiptare ka punuar dhe do të vijojë të punojë për forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe krijimin dhe thellimin e partneritetit, mbështetur në parimet e demokracisë parlamentare dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, u shpreh ajo.

Kryeparlamentarja e Shqipërisë shtoi se kanë nxitur dhe po nxisim rolin thelbësor të parlamenteve në demokraci.

“Shqipëria e konsideron Nismën për Evropën Qendrore një nxitëse të dialogut politik, vlerave demokratike, sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe mbështese të paqes”, tha ndër të tjera Spiropali.

Në aktivitet mbajtën fjalët e tyre përshëndetëse edhe ambasadorë dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Qëllimet kryesore të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) fokusohen në nxitjen e integrimit evropian dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm nëpërmjet bashkëpunimit rajonal.

Shqipëria është anëtare e nismës që prej vitit 1996 dhe ka presidencën e saj në për vitin 2024.

AA