Ish-kryeministri i RMV-së dhe deputet aktual në Kuvend, Dimitar Kovaçevski, në paraqitjen e tij të parë në media pas zgjedhjeve të majit, ka thënë se partia e tij nuk mund të bënte koalicion me paritë shqiptare, pasi në gjithë këtë ka ndërhyrë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kovaçevski tha se Kurti ka qenë çelësi i formimit të koalicionit “VLEN” dhe dërgimin e BDI-së në opozitë.

“Kurti është prezent në politikën në Maqedoni dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Ai ka përfaqësuesin e partisë së tij deputet në Kuvendin e RMV-së. LSDM nuk ka mundur të bëjë koalicion të madh me partitë shqiptare, sepse opozita shqiptare kësaj radhe u konsolidua dhe u forcua, dhe logjistikisht u mbështet nga Kosova. Kishte kandidatin e vet për president, një figurë të shquar politike, pra Arben Taravari, i cili sot është ministër i Shëndetësisë. Kjo BDI-në e vendosi në pozitën që duhet të kandidojë me kandidatin e vet për president”.
“Kështu nuk ka qenë në zgjedhjet e kaluara pesë vjet më parë, duke pasur parasysh se edhe atëherë tentimet e para i ka bërë kryeministri i Kosovës i cili ka dashur të jetë protagonist në Maqedoni dhe është protagonist në Maqedoni, sepse kur janë mbajtur takimet, koordinimi dhe koalicioni është bërë tek ai, këtë nuk e fshehin as ata pasi ka incizime, kumtesa etj”, tha Kovaçevski.

Kovaçevski tha se Vetëvendosja nuk ka pasur asgjë kundër LSDM-së, duke shtuar se janë parti simotra. Ai shtoi se Kurti “luftën” e ka pasur në bllokun politik shqiptar./Telegrafi/