Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut dështoi interpelanca e dorëzuar nga grupi parlamentar i së Majtës e mbështetur edhe nga LSDM-ja në opozitë ndaj kryetarit të kuvendit.
Në argumentimin për interpelancën në kuvendin e Maqedonisë së Veriut thuhet, se kryeparlamentari Afrim Gashi ka punuar në mënyrë joprofesionale, antikushtetuese dhe ka lënduar laicitetin e shtetit, sepse ka lejuar kryerjen e riteve fetare në njërën nga seancat e komisionit.
Përmendet edhe rasti i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit dhe sipas partisë “LEVICA”, kryeparlamentari ka shkelur përdorimin e gjuhës maqedonase, sepse betimin që ka bërë, si president tashmë i zgjedhur, e ka thënë fillimisht në shqip dhe jo në gjuhën maqedonase.
Kryeministri dhe kreu i VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski e ka vlerësuar interpelancën si marrëzi dhe papjekuri politike të partive opozitare maqedonase.
“Kjo është papjekuri, do të thosha marrëzi e koalicionit LSDM, BDI dhe partisë ‘E Majta’ dhe se absolutisht nuk ka bazë për interpelancë ndaj kryeparlamentarit Gashi dhe ne nuk do ta mbështesim një iniciativë të tillë dhe kemi një sërë argumentesh pse nuk duhet ta bëjmë atë”, ka thënë kryeministri Mickoski.
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi: Interpelanca nuk ishte e qëndrueshme politikisht
Për koalicionin “VLEN” interpelanca është një eksperiment politik i pakuptimtë dhe tentativë për destabilizim të vendit. “Shprehim mbështetje pa rezervë dhe unanime për kryetarin Afrim Gashi, duke theksuar se kjo interpelancë është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj institucioneve shtetërore dhe integrimit euro-atlantik të vendit. Kjo është një iniciativë e parashtruar nga partia anti-NATO, “LEVICA”, me mbështetje të hapur nga LSDM dhe të fshehur nga BDI, të cilat në fakt po testojnë një koalicion opozitar të zgjeruar në dëm të interesave strategjike”, vlerësojnë nga VLEN.
“Nuk shoh me çfarë i kam shkelur autorizimet, po e bëj punën në mënyrën më të ndershme dhe më të përgjegjshme siç di. Në interperlancë në thelb nuk ka asgjë që janë shkelur parimet e punës së Kuvendit apo janë shkurtuar të drejtat e një deputeti apo grupi të deputetëve, por bëhet fjalë për tema të parëndësishme për disa media që duan pëlqime dhe komente në rrjetet sociale.Jam i bindur se e vërteta do të dalë në shesh”, është shpreh Afrim Gashi kryetar i Kuvendit.
Partitë opozitare kanë kritikuar, por nuk kanë përkrahur interpelancën
Deputet i Frontit Europian Blerim Bexheti ka thënë, se grupi parlamentar i Frontit Europian do t’i paraqes vërejtjet, por siç bëri të ditur për çështje parimore nuk do të votojnë për shkarkimin e Gashit.
“Ne do t’i japim vërejtjet tona për punën e Gashit, por ne për arsye parimore nuk do të votojmë për shkarkimin për iniciativën e partisë “E Majta”, është shprehur deputeti i Frontit Europian Blerim Bexheti.
Interpelanca ndaj kryeparlamentarit nuk u mbështetet as nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët krahu i Selës. Ata thonë se edhe pse nuk janë të kënaqur nga puna e kryeparlamentarit Gashi, megjithatë argumentet e Levicës sipas tyre janë të pabaza. “Ne kurrë s’kemi qenë në një linjë me ata që duan të zhbëjnë ekzistencën kombëtare shqiptare. Apasievat dhe të ngjashmit e tyre tek ne do të gjejnë vetëm kundërshtarin dhe asnjëherë aleatin”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Nga grupi parlamentar i LSDM-së numërojnë disa nga arsyet për pranimin e interpelancës duke theksuar skandalin ne aeroportin e Shkupit dhe rastin e dasmës me veturë zyrtare të kryeparlamentarit Afrim Gashi. “Qëndrimi im personal është që interpelanca duhet të mbështetet. Janë bërë shumë lëshime për të cilat ne ishim ata që e informuan opinionin. Jo vetëm ne por edhe disa institucione dolën dhe konstatuan disa shkelje sa i takon rregullave të sjelljes së kryeparlamentarit”, ka thënë Venko Filipçe kryetar i LSDM-së. /DW/