Është nënshkruar marrëveshja për financimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë me Fondit Saudit për Zhvillim, projekt i cili ka nisur në vitin 2009.
Në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kanë marrë pjesë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ai i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe përfaqësuesit e Fondit Saudit për Zhvillim.
Aliu tha se ky projekt është i rëndësishëm duke marrë parasysh vëllimin e trafikut. Shtoi se projekti ndikon në përmirësim të jetës së qytetarëve.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se marrëveshja kap vlerën e rreth 13 milionë eurove.
“Sot jemi mbledhur që ta përmbyllim edhe pjesën tjetër të financimit për këtë projekt. Mesatarja ditore në këtë rrugë është në nivelin për 27 mijë automjete. Marrëveshja kap vlerën rreth 13 milionë euro. Pjesa tjetër është bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës. Do të doja të falënderoja Fondin Saudit për Zhvillim për mbështetjen dhe të ritheksoj përkushtimin e Qeverisë për thellimin e partneritetit me Mbretërinë e Arabisë Saudite”, tha Murati.
Për rëndësinë e këtij projekti foli edhe drejtori ekzekutiv në Fondin Sovran për Zhvillim, Sultan A.Almarshad.
“Ky është një bashkëpunim i vazhdueshëm mes Kosovës dhe Fondit Saudit. Marrëveshja që do të nënshkruhet sot është vazhdim i projektit që është financuar nga fondi që është bërë në vitin 2013. Kjo zgjatje do ta zgjeroj rrugën në dy anët në dy autoudhë. Do të zvogëloj trafikun dhe do të zvogëloj aksidentet”, u shpreh ai.
Në shkurt të këtij viti ministri Aliu pati njoftuar se kanë nënshkruar kontratën e re për zgjerimin dhe përfundimin e kësaj rruge.
Ajo ishte nënshkruar një vit pas shkëputjes së kontratës së vjetër.