
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari nuk e ka dorëzuar akoma dorëheqjen e tij me shkrim, të paralajmëruar një ditë më parë. Dorëheqja duhet të dorëzohet fillimisht në qeveri dhe pastaj të kalojë procedurat në Kuvend.
“Akoma nuk kemi asnjë informacion ose paralajmërim. Kur të marrim dorëheqjen me shkrim, atëherë sipas rregullores do të presim propozim nga Kryeministri që të konstatohet dorëheqja dhe më pas kalojmë në procedurën e caktimit të ministrit të ri. Flasim për situata hipotetike”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.
Pas konstatimit të dorëheqjes së Taravarit, VLEN është e bindur se pozitat që i kanë takuar ASH-së në ekzekutiv do të mbushen nga VLEN.
Zv.kryeministri Mexhiti thotë se nuk është biseduar që VMRO-DPMNE-ja të marrë Shëndetësinë.
“Fillimisht duhet ta konstatojmë dorëheqjen. Ajo që është e rëndësishme, të gjitha pozicionet që i ka Aleanca për Shqiptarët, do të mbeten në kuadër të VLEN-it. Do të bëjmë analizë, do t’i japim më të mirët dhe më të përgatiturit për ato pozicione”, tha Izet Mexhiti, Zv.kryeministër.
Taravari një ditë më parë njoftoi dorëheqjen e tij, por siç tha për MIA, funksionarët e tjerë do të shkarkohen. Për Mexhitin kjo tregon se Taravari nuk është në një vijë me strukturat e partisë.
“Kjo tregon që pjesa dërmuese brenda Aleancës për Shqiptarët që në themelim ka qenë antipod i BDI-së, nuk pajtohen me qëndrimin e kryetarit të partisë. Ka marrë rrugë të gabuar dhe është evidente që çdo ditë ka largime, ka paraqitje të mendimeve ndryshe nga funksionarë të ndryshëm.
Kjo tregon që kryetari nuk është në vijë me anëtarësinë dhe me strukturat e partisë”, deklaroi Izet Mexhiti, Zv.kryeministër.
ASH-ja në qeveri përfaqësohet me ministrin e Shëndetësisë, Zv.kryeministrin për qeverisje të mirë, zv.ministrin e Bujqësisë dhe zv.ministrin e Mbrojtjes. Funksionarë të tjerë të eshalonëve më të ulëta pritet po ashtu të shkarkohen. /Alsat.mk