Me 67 vota “për” dhe 7 “kundër” Kuvendi miratoi ribalancin e buxhetit për vitin 2024. LSDM-ja paralajmëroi se nuk do ta përkrahë ribalancin, ndërkaq Fronti Europian lëshoi seancën. Të pranishëm në votim ishin 87 deputetë.

Me ribalancin e buxhetit për 2024, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në 318,2 miliardë denarë, që është 2,6 për qind më shumë se parashikimet fillestare, shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në 362,8 miliardë denarë ose 5,6 për qind më shumë se parashikimet fillestare, shpenzimet kapitale janë planifikuar në vlerë prej rreth 44,7 miliardë denarë, kurse deficiti është planifikuar në nivelin prej 44,7 miliardë denarë, përkatësisht nga 3,4 për qind e planifikuar fillimisht në 4,9 për qind të PBB-së.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska para deputetëve tha se ribalanci është përpjekje e Qeverisë së re që të sigurojë likuiditet për servisim të rregullt të të gjitha detyrimeve deri në fund të vitit njëkohësisht me sigurim të funksionimit normal të institucioneve dhe realizim të projekteve të cilat kanë dinamikë adekuate.

“Duhet të sigurohet likuiditet, pagesë e pensioneve të rritura, të drejtave të të punësuarve dhe detyrimet e duhura ndaj ekonomisë”, theksoi Dimitrieska Koçoska.