“Ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Europian brenda vitit 2030”, u shpreh kryeministri Edi Rama nga Luksemburgu, ku pritet të nisë Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.
Moti gri i Luksemburgut, nuk shuan entuaziazmin për këtë hap të radhës shumë të rëndësishëm për Shqipërisë, sikurse tha kryeministri i vendit. Europa, theksoi ai, është i vetmi vend ku duam të jemi.
“Është mënyra më e mirë për të nisur ditën dhe pavarësisht motit gri të Luksemburgut, ndihemi shumë entuziastë, mjaft të inkurajuar, që më në fund nisim me pjesën më të vështirë të punës, që nënkupton çeljen e grup kapitujve të Themeloreve. Do të përmbyllim brenda afatit tonë mjaft ambicioz të gjithë këtë proces të negociatave dhe do ta bëjnë Shqipërisë të ulen si e barabartë rreth tryezës së shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
Ne jemi shumë të përkushtuar ndaj Bashkimit Europian që prej ditës së parë që i ikëm ferrit të diktaturës, duke qenë vendi më i izoluar komunist në Europë. Kështu që pavarësisht si është situata, ne nuk kemi hequr dorë, sepse për ne Bashkimi Europian dhe Europa janë i vetmi vend, ku duam të jemi. I vetmi vend që duam t’u lemë brezave të ardhshëm. Ky moment është i veçantë, edhe falë Vladimir Putinit, që zgjoi nga gjumi dhe më skeptikun që i bëri të zgjohen, të shohin realitetin dhe të shohin sa i nevojshëm është Ballkani Perëndimor për Be-në, ashtu sikurse edhe BE është e nevojshme për Ballkanin Perëndimor”.
I vetëdijshëm se Shqipëria ka ‘një mal me detyra shtëpie për të përmbushur’, Rama u shpreh optimist për rrugëtimin e vendit drejt unionit.
“Janë detyra shtëpie, një mal për t’u ngjitur. Por jemi në ngjitje e sipër me ide të qarta, me vullnet të fortë”, tha ai në një deklaratë për gazetarët.