Një operator i tretë po troket në derën e tregut të telekomunikimeve në vend, shkruan Alsat.

Qeveria ka marr një shkresë zyrtare nga kompania hungareze celulare “4iG” për të konkurruar si operator i tretë në Maqedoninë e Veriut.

Sinjalet e para nga ekzekutivi janë se tregu vendor ka nevojë për rritje të konkurrencës dhe ulje të çmimeve të shërbimeve në telefoninë fikse, mobile, internetit dhe televizionit kabllor IPTV.

“Kjo nismë premton përfitime të konsiderueshme për të dyja palët, dhe mund të jetë veçanërisht e dobishme për qytetarët, sepse edhe vendi ynë edhe Grupi 4iG ndajnë vizion të përbashkët për një shoqëri me lidhje të avancuara dhe digjitale”, thonë nga Qeveria.

Në parim, ngjashëm e shohin edhe ekspertët ekonomikë, por thonë se vendi ka shumë për të bërë në fushën e digjitalizimit si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Nikica Mojsoska nga Organizata “Macedonia 2025” tha se një operator i tretë në vend ka qenë i domosdoshëm prej kohësh.

“Mendoj se çdo konkurrencë është e mirëseardhur dhe shpresoj që do të vijë deri te rritja e cilësisë së shërbimeve dhe një ulje e caktuar e çmimeve të shërbimeve. Megjithatë, operatorët e telekomunikimit i shoh vetëm një segment të vogël në gjithë spektrin e digjitalizimit ose shërbimeve digjitale, në radhë janë shërbimet bankare dhe shërbimet e kompanive tjera që qytetarët apo klientët të përfitojnë nga ato, duke përfshirë edhe shërbimet digjitale të administratës publike. Kemi shumë më tepër punë për të rregulluar, sesa sektori i telekomunikimeve”, tha Nikica Mojsoska, eksperte ekonomike.

Më 1 gusht, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Aleksandar Nikolloski në Budapest u takua me presidentin e “4iG Group”, Gellert Jaszai, në takim të cilin u dhanë shenjat e para që “ONE” do të vijë te ne.

Mundësia e hyrjes së një operatori të tretë në sektorin e telekomunikacionit, opinioni e percepton si pjesë e një pakete më të gjerë bashkëpunimi, e cila do të fillojë me një kredi për Maqedoninë e Veriut prej 500 milionë euro nga Hungaria.

Por, në komunikimin direkt që patëm me zyrtarë të kompanisë hungareze “4iG” na thanë se interesimi i tyre është që në përputhje me planin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2030, të investojnë në zhvillimin e infrastrukturës digjitale dhe të operojnë si konkurrent shumë serioz në Maqedoninë e Veriut.

“4iG Grup” prej dy vitesh operon në dy vendet të rajonit, duke u vendosur në Mal të Zi dhe Shqipëri përmes markës së vet të telekomunikimit “ONE”.