Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Rripi i Gazës është bërë “kampi më i madh i shfarosjes në botë”, duke shtuar se Izraeli ka kryer një mizori që “do ta kalojë Hitlerin”, raporton Anadolu.
“Udhëheqësit dhe organizatat perëndimore, detyra e të cilëve është të garantojnë sigurinë ndërkombëtare, e kanë parë këtë brutalitet nga larg për gati 300 ditë”, tha presidenti Erdoğan në një fjalim në kryeqytetin Ankara.
“Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin për të parë që politikat pushtuese të Izraelit rrezikojnë të gjithë rajonin… Shikoni, kjo nuk është një rrugë që mund të vazhdojë”, shtoi ai.
Presidenti turk gjithashtu bëri thirrje që të ndalet menjëherë “brutaliteti dhe barbarizmi i Izraelit para se të jetë tepër vonë”.
Ai shtoi se Izraeli është i vetmi vend në rajon që kërkon sigurinë e tij përmes “agresionit, masakrave dhe konfiskimit të tokës”, duke vepruar si një “organizatë terroriste”.
“Shteti i paligjshëm izraelit është një kërcënim jo vetëm për Palestinën dhe Libanin, por për njerëzimit në tërësi, për të gjithë botën në këtë pikë”, tha presidenti Erdoğan.
Erdoğan do të telefonojë Papën për “imoralitetin e kryer kundër botës së krishterë” në Lojërat Olimpike të Parisit
Më tej, presidenti turk bëri të ditur se sa më parë do të telefonojë Papa Françeskun për të diskutuar “imoralitetin e kryer kundër botës së krishterë” në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës në Paris javën e kaluar.
“Skena e turpshme në Paris ofendoi jo vetëm botën katolike, jo vetëm botën e krishterë, por edhe neve po aq sa ata. Imoraliteti i shfaqur në hapjen e Lojërave Olimpike të Parisit theksoi edhe një herë shkallën e kërcënimit me të cilin po përballemi”, tha Erdoğan.
Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike tërhoqi reagime të mëdha për një parodi të interpretuar të Darkës sëFundit të Leonardo da Vinçit, të cilën shumë e konsideruan si mos respektim ndaj besimeve fetare.