Kryetari i deritanishëm i Alternativës, Afrim Gashi, dha dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake, për shkak se pritet të votohet si kryetar i ri i Kuvendit. Kushtetuta e obligon që kryeparlamentari të mos bartë post partiak.

Sipas kumtesës së Alternativës, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, detyrimet ligjore të udhëheqjes së partisë i janë deleguar Bekim Salit, deputet i kësaj partie me koalicionin VLEN.

“Për shkak se kushtetuta e RMV-së, neni 67 i saj, e përcakton se kryetari i kuvendit republikan nuk mund të jetë edhe kryetar ose funksionar i një partie politike, Afrim Gashi ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të Alternativës dhe nga të gjitha funksionet e tjera të partisë. Para kësaj, konform statutit të Alternativës, kryetari Afrim Gashi e ka autorizuar nënkryetarin Bekim Sali që t’i kryejë detyrimet formale të partisë deri në zgjidhjen përfundimtare të temës së kryetarit të Alternativës”, thuhet në njoftimin e Alternativës.

Partia do të organizojë kongres për zgjedhjet e brendshme, ndërsa deri tani nuk është caktuar një datë.