Në panel diskutimin e mbajtur sot, në shënimin e ditës së nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, organizatori dhe nikoqiri Izet Mexhiti në cilësinë e zv Kryeministrit mes tjerash tha:

“Ditëve të fundit është ringjallur tema e Marrëveshjes së Ohrit, por për fat të keq, jo në dritën e saj pozitive por më tepër si instrument për manipulimin e opinionit. Më lejoni ta pëmbylli fjalën time sot duke thënë se Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje për shtetin – nuk është marrëveshje për pjesëmarrjen në pushtet të një partie politike përjetësisht. Periudha përpara nesh do të jetë periudhë në të cilën ne do të hapim një etapë të re të politikës dhe politikëbërjes. Maqedonia e veriut, nga një shtet / shoqëri me marrëveshje, do të avancojë drejt një shoqërie të ‘marrun vesh’- pra, nga një shoqëri post-konfliktuale, funksionimi i të cilës garantohet nga një marrëveshje paqesore, detyra jonë është që Maqedoninë e veriut ta bëjmë një shoqëri moderne në të cilën institucionet do ta reflektojnë barazinë e plotë në çdo nivel dhe dimension të funksionimit.

Me pak fjalë, ne nuk mund të rrijmë duke u marrë vesh pafundësisht. Tani ka ardhur koha që marrëveshjet e arritura të kthehen në bazë për modernizimin dhe europianizimin e shtetit.”