Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, u bëri thirrje shteteve të mëdha dhe me ndikim që të “ushtrojnë presion ndaj Izraelit që të ndalojë politikën e tij të vrasjes dhe shkeljes së sovranitetit të vendeve të tjera”, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate me shkrim të bërë nga Ministria e Jashtme egjiptiane, Abdelatty zhvilloi një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.
Biseda u zhvillua në kuadër të kontakteve që Abdelatty zhvillon me ministrat e Jashtëm në rajon dhe jashtë rajonit për të vënë nën kontroll tensionin dhe përshkallëzimin e këtij tensioni.
Duke përsëritur se sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Gaza duhet të ndalen, Abdelatty vuri në dukje se këto sulme do të jenë arsyeja kryesore për përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Abdelatty theksoi se është përgjegjësi e shteteve të mëdha dhe me ndikim që të ndërhyjnë dhe të bëjnë presion ndaj Izraelit që të braktisë politikën e tij të frikësimit, vrasjes dhe shkeljes së sovranitetit të vendeve të tjera.
Pasi nënvizoi se zgjidhja me dy shtete që do të çojë në krijimin e një shteti sovran palestinez nuk ka alternativë, Abdelatty tha se BE-ja dhe të gjithë partnerët e procesit të paqes në Lindjen e Mesme “duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të ndaluar sulmet e izraelitëve kundër palestinezëve dhe të ndërmarrin hapa seriozë drejt qëllimit të krijimit dhe njohjes së shtetit të Palestinës”.
Në deklaratën e bërë dje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Egjiptit u theksua se Abdelatty së fundmi krahas Iranit, ka mbajtur kontakte diplomatike me zyrtarë të SHBA-së, Rusisë dhe disa vendeve evropiane, për kontrollimin e tensionit në rajon.