Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi një takim me Kryetaren e Parlamentit Europian, znj. Roberta Metsola, në Bruksel, ku diskutuan për zhvillimet në procesin e integrimit europian dhe rëndësinë e mbështetjes nga Parlamenti Europian si një partner kyç në këtë rrugë.
Në takim u shkëmbyen pikëpamje mbi reformat e deritanishme dhe miratimin e Agjendës Reformuese. Gashi theksoi rëndësinë e angazhimit të mëtejshëm për plotësimin e kritereve të BE-së, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese, dhe siguroi gatishmërinë e Kuvendit për të vijuar këtë proces. Megjithatë, ai nënvizoi se përparimi kërkon vullnet politik dhe konsensus, pa u penguar nga çështjet bilaterale.
“Vendosmëria jonë dhe mbështetja e BE-së tregojnë një angazhim të sinqertë për perspektivën europiane,” deklaroi Gashi pas takimit.