Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë dhe deputeti, Venko Filipçe dhe grupi parlamentar i LSDM-së, sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, propozuan ndryshime dhe plotësime në Ligjin për pagën minimale.

Në konferencën për media, Filipçe tha se një propozim i tillë është për shkak të pasigurisë së madhe aktuale ekonomike dhe politikave të gabuara ekonomike të qeverisë aktuale.
“Me ndryshimet ligjore presim që paga minimale të rritet në 27.700 denarë, që paraqet rritje prej 12,3%. Me këtë, jo vetëm që do të sigurojmë stabilitet financiar për punëtorët, por do të ndikojmë edhe në rritjen e pagës mesatare, e cila do të ndikojë pozitivisht në çdo familje në vend. Metodologjia për harmonizimin e pagës minimale me rritjen e kostos së jetesës dhe pagës mesatare mbetet pjesë e këtij ligji, kështu që do të sigurojmë rritje të besueshme dhe konstante të të ardhurave të qytetarëve në të ardhmen”, tha Filipçe.