Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë – Departamenti i krimeve të rënda ka arrestuar sot në Prishtinë katër persona të dyshuar për fajde.

Burimet e IndeksOnline brenda policisë kanë thënë se të arretsuar janë Artur Gerbeshi, Aurit Gerbeshi, Sevdim Abazi dhe i biri i tij, Altin Abazi.

Hetimet përkitazi me rastin kishin nisur kohë më parë ndërsa sot policia ka zbatuar urdhërkontroll në 3 lokacione në Prishtinë ndaj katër personave të dyshuar për veprat penale “fajde” nga neni 331 i KPRK-së dhe “organizimi i skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 i KPRK-së.

Të dyshuarit në këtë rast, përmes formave të ndryshme të kanosjes, në vazhdimësi kanë detyruar viktimën që të veprojë kundër pasurisë së tij, duke përfituar kështu në formë të kundërligjshme shuma të ndryshme të parave si interes nga fajdeja, e po ashtu të dyshuarit kanë ushtruar edhe veprimtarinë e bixhozit të kundërligjshëm.

Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit janë sekuestruar dëshmi të ndryshme si: shuma të konsiderueshme të parave kesh, 5 automjete, telefona celularë, pajisje të ndryshme elektronike.