Rreziku për helmimin e njeriut nga ushqimi rritet gjatë stinës së verës me rritjen e temperaturave. Helmimi nga ushqimi ndodh duke ngrënë ushqime të cilat janë të kontaminuar nga viruse, baktere, toksina, parazitë ose kimikate toksike. Jo gjithmonë kjo ndodh nga ushqimet e prishura. Mund të helmohemi nga ushqime në dukje shumë të mira, por që nuk janë ruajtur siç duhet. Ushqimet e shpejta, produktet prej qumështit dhe mishit janë rreziku potencial i helmimit të njerëzve thonë ekspertët duke shtuar rëndësinë e ruajtjes së produkteve ushqimore në kushtet e duhura.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë theksojnë se konsumatorët nevojitet t’i kushtojnë vëmendje datës së skadencës dhe t’i ruajnë ushqimet siç duhet. Njëherësh qytetarët me rastin e blerjes së çdo produkti, duhet të jenë të informuar mirë se çfarë shkruhet në deklarata, t’i kushtojnë vëmendje të veçantë mënyrës së ruajtjes dhe magazinimit.Shpesh, për shkak të gabimeve të caktuara të operatorëve ekonomikë, në raftet e marketeve mund të gjeni një produkt të skaduar. Këto janë disa nga këshillat e autoriteteve në ditët kur vendi e përshkon një valë e të nxehtit.

Autoritetet thonë ushqimi të blihet nga operatorët e aprovuar, të kujdeset për pamjen, datën e skadimit dhe ruajtjen e tij të duhur dhe produktet që prishen të blihen ekskluzivisht nga ambientet ku produktet ruhen në frigoriferë. Shmangni blerjen dhe mos përdorni ushqime me paketim të dëmtuar (të grimcuar, të fryrë ose të plasaritur) dhe blini produkte të ftohura ose të ngrira në fund të blerjeve. Mishi, qumështi dhe vezët duhet të blihen në fund të blerjeve, dhe këto produkte duhet të mbahen në një makinë dhe mjete të tjera transporti kur temperaturat janë shumë të larta.

Ndërkohë lidhur me ushqimin që konsumohet në vend nga Agjencia e Ushqimit thonë se ushqehemi me ushqim të sigurt dhe cilësor. Gjithçka që është në qarkullim dhe kontrollohet nga inspeksionet është absolutisht e sigurt. Gjithashtu cilësia e ushqimit konfirmohet nga prodhuesit dhe përpunuesit që janë të ngarkuar për këtë. Edhe vetë numri i kontrolleve inspeksionale dëshmon se inspektorët tonë vërtetë po e bëjnë punën me ndërgjegje, thekson drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinare, Nikolçe Babovski. Duke shtuar se në pesë muajt e parë të këtij viti janë kryer mbi 22 mijë kontrolle inspektuese, gjatë të cilave janë asgjësuar si të pasigurta 18.6 ton ushqime me origjinë shtazore dhe jo shtazore. Sipas drejtorit, në vendin tonë zbatohen të gjitha masat për sigurinë ushqimore që vlejnë në BE.

Ndodh që disa nga vendet e BE-së të na i kthejnë ushqimet e eksportuara dhe në raste të tilla gabimi është më së shumti në prodhimin parësor, në terren, ku përdoren pesticide të caktuara.

Që nga fillimi i vitit në AUV janë dorëzuar 79 nisma nga qytetarët për mbikëqyrje inspektuese, prej të cilave 32 kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore. Qytetarët janë ankuar për blerje ushqimesh të skaduara, ushqime të përgatitura dhe të servirura në kushte johigjienike, ushqime të pa etiketuara dhe pa etiketa, dyshime për helmim nga ushqimi, si dhe ankesa të tjera lidhur me cilësinë e produkteve ushqimore. Nga numri i përgjithshëm i iniciativave të paraqitura në fushën e sigurisë ushqimore, katër janë refuzuar si të pabazuara. Shërbimet inspektuese veprojnë për ankesat e paraqitura dhe të argumentuara.

Ndryshe, më shumë se 600 milionë njerëz në botë sëmuren nga ushqimi i papërshtatshëm, me cilësi të dobët ose të pasigurt, më shumë se 420 000 njerëz vdesin çdo vit nga ushqimi i pasigurt ose një në 10 sëmuret nga ushqimi i kontaminuar. Ushqimi është gjithashtu shkaku i më shumë se 200 sëmundjeve te njerëzit. /Koha/