Në kuadër të vizitës në Bruksel, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi një takim me Nikola de Santis, Shef i Departamentit të Diplomacisë Publike të NATO-s. Diskutimet u fokusuan në sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit, si dhe në rëndësinë e forcimit të partneritetit strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Aleancës.

Gashi informoi de Santis për angazhimin e Maqedonisë së Veriut në përmirësimin e kapaciteteve mbrojtëse, përfshirë përballjen me kërcënimet hibride dhe luftën kundër dezinformatave. Ai gjithashtu theksoi rolin e Kuvendit në mbështetjen e përkushtimit të vendit ndaj NATO-s dhe rëndësinë e diplomacisë publike në politikat e sigurisë.

Gjatë takimit, palët ranë dakord për rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë për të siguruar një përgjigje efektive ndaj kërcënimeve globale, duke nënvizuar angazhimin e përbashkët për stabilitet dhe siguri ndërkombëtare.