Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, theksoi se pjesë e marrëveshjes mes VMRO DPMNE-së dhe VLEN-it për bashkëqeverisje është ndarja e një buxheti prej 250 milionë eurove çdo vit për infrastrukturën komunale.

“Ne jemi marrë vesh dhe kjo do të bëhet që me buxhetin e parë, që çdo vit nga 250 milionë euro i ndanë qeveria vetëm për zhvillimin infrastrukturor të komunave, nga të cilat 30% të atij fondi shkojnë për komunat shqiptare. Që i bie se për një mandat 4-vjeçar, 1 miliard euro, e për komunat shqiptare 300 milionë euro do të përdoren për infrastrukturën”, tha Ibrahimi.

Ai tha gjithashtu se rruga Tetovë-Prizren dhe rruga Shkup-Bllacë do të jenë prioritete të qeverisë së VLEN-it. Gjithashtu, do të investohet në arsim, kulturë dhe zhvillim ekonomik.

“Kjo Qeveri do të jetë qeveri e suksesit ekonomik”, theksoi Ibrahimi.