Në shoqërinë shumë-gjuhësore, politikat gjuhësore janë determinuese për funksionalitetin e këtyre shoqërive, andaj nismat si ato të Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, janë papranueshme. Kështu tha zëvendëskryeministri Izet Mexhiti në konferencën shkencore “Gjuha dhe Etnia”, të organizuar nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve. Duke reaguar ndaj nismave të Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e abrogimit të disa neneve për përdorimin e gjuhës shqipe, Mexhiti theksoi se roli i kësaj gjykate është vlerësimi i kushtetutshmërisë së ligjeve dhe zbatimi i Kushtetutës, jo marrja e vendimeve me natyrë politike. Sipas tij, është e papranueshme të preken të drejtat e fituara, sidomos ato që garantojnë bashkëjetesën multietnike në Maqedoninë e Veriut. Mexhiti vuri në dukje se në demokracitë e avancuara të drejtat vetëm avancohen dhe nuk mohohen, shkruan gazeta KOHA.

“Aktualisht jeni të njoftuar se ekzistojnë disa nisma për të kontestuar ligjin për përdorimin e gjuhëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Si zëvendëskryeministër i parë, ndjej për obligim të përsëris edhe njëherë se ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka për obligim të vlerësoj kushtetueshmërinë e ligjeve dhe akteve tjera dhe të garantojnë zbatimin e Kushtetutës, ajo nuk ka mandat as të lëshohet në diskutime, e aq më pak në vendimmarrje politike, dhe sidomos kur është fjala për ligje dhe akte tjera juridike, të cilat garantojnë bashkëjetesën multi-etnike dhe frymën e bashkëjetesës në Maqedoni të Veriut. Prandaj po e përsëris në asnjë vend të botës nuk ndodh që të drejtat e fituara të cenohen ose abrogohen, sepse është cilësi e demokracive të mirëfillta që të drejtat të avancojnë në vazhdimësi, jo të shkurtohen, cenohen ose të mohohen”, tha me këtë rast Mexhiti.

Edhe ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, pajtohet se është detyrë e të gjithëve mbrojtja e gjuhës shqipe. Në fjalën e tij të rastit në këtë konferencë, Limani tha se për shqiptarët, gjuha shqipe ka rëndësi dhe vlerë të veçantë, pasi gjuha pati rol edhe në ruajtjen e kombësisë shqiptare. “Është detyrë e jona që të ruajmë dhe kultivojmë si vlerë më të çmuar dhe ta lejmë si amanet te gjeneratat pasuese të trashëgojnë gjakun dhe gjenin e kombit tonë. Përveç ruajtjes së pastërtisë duhet të nxisim edhe zhvillimin e gjuhës në përputhje me kohën në të cilën po jetojmë, duke e bërë atë si mjet më të fuqishëm të dijes dhe komunikimit”, theksoi Limani.

Punimet e konferencës “Gjuha dhe Etnia” e hapi drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Granit Osmani, i cili tha se gjuha shqipe është vlerë e veçantë, andaj planifikimi gjuhësor dhe përkujdesja institucionale janë më se të nevojshme. “Ne duhet të jemi vigjilent që kujdesi ndaj këtyre vlerave të çmuara ta përcjellim ndër breza si shtylla të rëndësishme kombëtare”. Përndryshe konferenca “Gjuha dhe Etnia” u organizua në vazhdën e aktiviteteve të cilat organizohen në vigjilje të festave të nëntorit. (koha.mk)