Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot mbajti seancën e dytë ku u morën disa vendime, ndër të cilat vendimi për shfuqizimin e drejtorëve ekonomikë të klinikave dhe vendim për emërimin e personelit drejtues të pesë institucioneve shtetërore.
Nga Qeveria thonë se ky ndryshim ka për qëllim përmirësimin e efikasitetit në menaxhimin e institucioneve shëndetësore, uljen e kostove administrative dhe rritjen e fondeve për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

“Sipas dispozitave të reja ligjore, do të shfuqizohet ekzistimi i dy pozicioneve drejtuese – drejtorit organizativ dhe mjekësor, të cilat deri më parë ishin të pranishme në qendrat shëndetësore me mbi 1000 punonjës, qendrat klinike universitare, klinikat universitare, spitalet klinike dhe institutet. Tani e tutje, këto institucione do t’i drejtojë vetëm një drejtor, i cili do të jetë përgjegjës për organizimin dhe funksionimin e institucionit, si dhe për ligjshmërinë e punës”.
“Me këtë reformë, Qeveria shpreson të përmirësojë kushtet dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, duke mundësuar transparencë dhe llogaridhënie më të madhe në punën e institucioneve shëndetësore”, thonë nga Qeveria.