Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, njoftoi sot se pati kënaqësinë të mirëpriste në selinë e partisë ambasadorin Kilian Wahl, Shefin e Misionit të OSBE-së në Maqedoninë e Veriut. Gjatë takimit, të dy diskutuan çështje të rëndësishme politike, përfshirë procesin eurointegrues, të cilin Ibrahimi e vlerësoi si thelbësor për pjesëmarrjen e Alternativës në qeveri. Ata biseduan edhe për reformat në sistemin gjyqësor dhe rolin e Alternativës në koalicionin VLEN.

Një temë tjetër e rëndësishme ishte vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për balancuesin, të cilin Ibrahimi e cilësoi si të gabuar, për shkak të mungesës së një mekanizmi të ri. Gjithashtu, u theksua nevoja për një ligj që garanton përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

“Angazhimi ynë për drejtësi dhe përfaqësim të barabartë mbetet prioriteti ynë,” theksoi Ibrahimi pas takimit.