“Lajmi se Artan Grubi non grata po përballet me shkarkim nga Universiteti i Tetovës për shkak të mungesave të pajustifikuara është pasqyrë e qartë e kulturës së papërgjegjshmërisë dhe arrogancës që BDI e ka kultivuar me dekada. Si mundet një person që nuk i kryen dot as detyrimet akademike, të përpiqet të shesë moralin politik dhe të flasë për përgjegjësi publike?”, pyesin nga koalicioni VLEN.
Ata thonë se “Artan Grubi, i njohur për të kaluarën e trazuar dhe akuzat për arratisje nga drejtësia, nuk plotëson kriteret morale dhe profesionale për të dhënë mësim para studentëve”.
“Universiteti është një institucion që duhet të promovojë integritetin, përgjegjësinë dhe respektimin e ligjit. Një person që i është shmangur përballjes me drejtësinë dhe që përfaqëson një model në kundërshtim me këto vlera, nuk mund të jetë shembull pozitiv për të rinjtë, ndaj vendimi i Universitetit për të dorëzuar dorëheqjen e Artan Grubit non grata, është më i përshtatshëm. Koalicioni VLEN paraprakisht njoftoi publikun e gjerë se nota mesatare e Grubit nga studimet universitare ishte 7, që do të thotë se një student i këtij kalibri nuk mund të dalë para studentëve. Besueshmëria akademike nuk matet vetëm me fjalime, por me përkushtim ndaj parimeve etike dhe respektimit të normave shoqërore, të cilat Grubi duket se i ka cenuar gjatë gjithë karrierës së tij”, qëndron në reagimin e VLEN-it.
Nga koalicioni VLEN thonë se “kjo situatë është pasqyrë e qartë e kulturës së papërgjegjshmërisë që BDI non grata ka kultivuar ndër vite. Përfshirja e njerëzve me të kaluar kontroverse në poste publike dhe akademike tregon mungesën e standardeve morale dhe profesionale të kësaj partie. Në vend të promovimit të meritokracisë dhe llogaridhënies, BDI non grata ka lejuar individët e përfshirë në polemika dhe dyshime për integritetin të përfaqësojnë politikën dhe institucionet, duke minuar jo vetëm besimin e qytetarëve, por vetë themelet e një shoqërie demokratike.”