Mediat janë ndër faktorët më të rëndësishëm për ndikimin e opinionit, respektivisht kur ato janë të paanshëm dhe objektiv, krijojnë një ambient të qetë, të sigurt dhe konstruktiv, mirëpo kur ato qëllimisht dhe në mënyrë tendencioze merren me shpifje dhe të pavërteta, krijojnë tensione dhe nervozizëm tek elektorati dhe në përgjithësi në opinion. Risi e këtyre zgjedhjeve, përveç mediave vendore të RMV-ës, është edhe prezenca dhe organizimi i emisioneve debative të dy televizioneve private nga Kosova në studiot e RMV-ës, enkas për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.Karakteristikë e emisioneve debative vendore (RMV) është se ato po tregohen të balancuara, me kritika konstruktive duke reflektuar realitetin në terren, kurse disa gazetarë të televizioneve nga Kosova, për çudi, paraqiten shumë kritik duke shprehur një mllef të shfrenuar dhe histerik kundër opozitës së bashkuar, VLEN-it, sikur ajo të kishte qenë në pushtet për dy dekada dhe tani duhet të jep llogari për dështimet. Shtrohet pyetja se, a thua këta gazetar kosovar e njohin më mirë situatën politike nga gazetarët dhe opinionistat shqiptar të RMV-ës, ose bëhet fjalë për diçka tjetër ?!

Në këto debate televizive, patëm rastin të dëgjojmë disa gazetarë nga Kosova duke lavdëruar në superlativ BDI-në dhe Ali Ahmetin, duke e paraqitur ate si heroj që e paska çliruar Kosovën dhe shqiptarët e Maqedonisë, se BDI-ja i paska zyrtarizuar univerzitetet në gjuhën shqipe dhe se paska punësuar shqiptar nëpër institucionet shtetërore. Mirëpo askush nuk tha se për themelimin e Univerzitetit të Tetovës kanë ra viktima shqiptar para se të themelohet BDI-ja si parti, se nëpër këto universitete janë punësuar familiar, bashkpartiak dhe simpatizues të BDI-ë, me diploma të blera, jo të gjithë, duke i shndërruar këto universitete në dega të partisë. Edhe punësimet në fjalë janë bërë me të njejtat kritere, përveç tjerash, duke punësuar njerëz të padijshëm dhe jokompetent, në kundërshtim me parimin e meritokracisë, mbase kuadrat e mirëfillta profesionale që nuk gjetën punësim sepse nuk ishin pjesë e BDI-së, ikën nëpër Europë.