Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka pohuar edhe një herë se gjuha shqipe nuk ka qenë zyrtare edhe atëherë kur BDI-ja deklaronte se çështja e gjuhës është temë e përfundiar.

Postimi i plotë i Ibtahimit në Facebook:

Kur ishim në opozitë, në kohën që u miratua Ligji për përdorimin e gjuhëve (që e rregullon përdorimin e gjuhës shqipe) isha ndër të paktët që u thoja se shqipja nuk është zyrtarizuar dhe, atëbotë, më vërsuleshin militantët e Soravisë se e bëja këtë për arsye opozitare. Kur u thosha se “shqipja me këtë ligj nuk është zyrtare, por gjuhë e përkthyer, sepse shteti flet e shkruan vetëm maqedonisht”, më shpallnin tradhtar.
E tash, kur kjo temë rikthehet në trajtime juridike, për t’u kontestuar, kërkohen fajtorë në pushtetin aktual dhe koalicionin VLEN.

Të nderuar, kjo është pasojë e asaj që nuk keni ditur, nuk keni dashur ose nuk keni mundur (sepse keni qenë të zënë me çështje si Soravia) ta rregulloni statusin e përdorimit të gjuhës shqipe, më mënyrë që mos të ketë dilema interpretimi dhe kontestimi. E tash mos qani si gra për atë që e keni humbur si burra.
Sidoqoftë, mos u mërzitni, se nuk lejojmë ta degradojnë gjuhën tonë, por veç ta dini se ende po i vuajmë pasojat e keqqeverisjes suaj.