Në Maqedoninë e Veriut janë kthyer grupet e para të haxhinjve nga vendet e shenjta, nga qytetet e Mekës dhe Medinës në Arabinë Saudite, ku shkuan që të kryejnë Haxhin, raporton Anadolu.

Haxhinjtë, të cilët u kthyen me fluturim të drejtpërdrejtë nga qyteti i Medinës, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit u pritën nga anëtarët e ngushtë të familjeve, të cilët u dëshiruan mirëseardhje të afërmve të tyre.

Grupet e para të haxhinjve që arritën në Maqedoninë e Veriut ishin nga qyteti i Shkupit, ndaj në aeroport i pranishëm ishte edhe muftiu i Shkupit, Qenan Ismaili. Në një deklaratë për Anadolu, ai u shpreh se Haxhi është një organizim shumë i ndërlikuar dhe i madh, por theksoi se gjithçka shkoi sipas planit të paraparë.

“Shumë normale është që ndryshon klima, ndryshojnë rrethanat, ka lodhje më të madhe dhe dikush prej haxhinjve e ndjen pak më shumë këtë, dikush më pak. Mirëpo, ajo dëshira, vullneti, emocioni shpirtëror, i tejkalon të gjitha këto. Mund të themi që nuk kemi pasur asnjëfarë problemi të madh, asnjëfarë ndërlikimi. Haxhinjtë i kanë kryer të gjitha obligimet e duhura që duhet atje”, tha Ismaili.

Ai i falënderoi të gjitha institucionet shtetërore, si të Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe të Arabisë Saudite, për organizimin dhe lehtësimin e procedurave.

Edhe haxhinjtë ishin shumë të kënaqur me organizatorët dhe shprehnin falënderimet e tyre. Sipas tyre, pengesë paraqiste vetëm moti i nxehtë. “Klima ndryshon, atje është 45-47 temperatura. Shkonim nga 2-3 kilometra në këmbë. Mirëpo, jemi shumë të kënaqur”, tha 62-vjeçari Milaim Fejzullahu.

Ndërkohë, 55-vjeçari Zudi Iljazi porosit që në Haxh të shkohet në moshë sa më të re që është e mundur, duke shtuar se duhet pasur parasysh që shkohet në një ambient ndryshe.

“Porosia më e madhe është që ne duhet ta dimë që shkojmë me një vend tjetër, ambient tjetër. Me të vërtetë vlejnë fjalët e Muftinisë: Dy valixhe me sabër, një valixhe me tesha. Sabri atje vlen më së shumti, tjetër asgjë. Në përgjithësi jam i kënaqur”, tha Iljazi.

Nga Maqedonia e Veriut këtë vit për në vendet e shenjta kanë udhëtuar 2.040 haxhinj, të cilët kanë qëndruar në Mekë dhe Medine për rreth 30 ditë.