Sekretari Organizativ i Bashkimit Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti, në një konferencë për media, ka deklaruar se është zbuluar, siç e cilësoi ai, skandali më i madh me keqpërdorime të mbi 100 milion Euro nga firma private serbo-bulgare Kazino Avstrija, partnere e Lotarisë së Maqedonisë, e cila i ka paguar drejtorit aktual të Lotarisë mbi 140.000€ honorar.
“Sot jemi para jush për të shpjeguar një nga politikat më të gabuara ku qytetarët shfrytëzohen në kurriz të pasurimit të një kompanie private e cila nxit partitë politike dhe aktorë të tjerë shoqërorë.
Konkretisht, në vitin 2013, Lotaria Shtetërore lidh marrëveshjen për themelimin e një shoqërie tregtare të quajtur Video Lotaria Shtetërore për organizimin e lojërave elektronike të fatit, së bashku me kompaninë private Kasino Austria në pronësi serbo-bullgare.
Në këtë shoqëri tregtare, partnerë me 51% janë Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kompania private serbo-bullgare Casinos Austria me 49%.
Gjithashtu, kontributi themelues i Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë është kontribut jomonetar i vlerësuar në vlerë të përgjithshme prej 6.244.898 euro dhe përbëhet nga:
• E drejta për të organizuar lojëra elektronike të fatit në territorin e Republikës dhe
• E drejta ekskluzive për të organizuar lojëra fati në internet për një periudhë 2-vjeçare.
Ndërsa, kontributi themelues i kompanisë private serbo-bullgare Kazinos Austria përbëhet nga vetëm 1.000.000 euro kontribut monetar dhe 5.000.000 euro kontribut jomonetar.
Fitimi i kësaj shoqërie tregtare që menaxhohet nga kompania serbo-bullgare Kazinos Austria është deri më sot me QINDRA MILION EURO.”, ka deklaruar Bexheti.