Pas humbjes katastrofike në zgjedhje, LSDM-ja opozitare fillon me konsolidimin e brendshëm dhe zgjedhjen e një lidershipi të ri, i cili do të përpiqet ta kthejë partinë në baza të qëndrueshme. Zgjedhjet e brendshme për kryetar të LSDM-së janë caktuar për më 30 qershor dhe disa nga anëtarët e partisë tashmë kanë shprephur publikisht ambiciet e tyre për të marrë drejtimin e partisë.
Para fillimit të afatit për paraqitjen e kandidaturave për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, deputetja dhe ish-ministre e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska konfirmoi zyrtarisht se do të kandidojë për kryetare të LSDM-së.
Paraprakisht, drejtori aktual i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, Jovan Despotovski, kishte paralajmëruar ambiciet e tij për të hyrë për herë të dytë në garë për kryetar partie. Ai tashmë ka shprehur publikisht qëndrimet e tij për drejtimin në të cilin duhet të ecin reformat në parti.
As nënkryetari i dorëhequr i LSDM-së, Stefan Bogoev, nuk i fsheh ambiciet për t’u bërë njeriu i parë i partisë.
Ndër kandidatët e LSDM-së për kryetar përmenden edhe ish-ministrat Oliver Spasovski dhe Venko Filipçe.
Para zgjedhjeve brenda partisë në LSDM është mbajtur edhe seancë e Bordit Qendror, detyra e të cilit është të përcaktojë rregullat rreth procedurës së kandidimit dhe përzgjedhjes së kryetarit.
Zgjedhjet për lider të ri pasojnë pasi Dimitar Kovaçevski, pas disfatës zgjedhore të 8 majit, konfirmoi se po largohet nga posti i të parit të partisë. “LSDM-së i është dhënë një goditje e rëndë, partia do të duhet të shikojë nga brenda dhe të reformohet”, kishte deklaruar Kovaçevski.