
Javën e ardhshme pritet të propozohen emra të rinj për të zëvendësuar kuadrot e partisë së Arben Taravarit që siç tha Mickoski, vendosën të kalojnë në përqafimin e Ali Ahmetit.
“Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së mbajti një takim të rregullt ku, ndër të tjera, diskutuam për situatën aktuale ekonomike dhe politike në vend. U trajtuan edhe disa çështje kadrovike, përgatitje për aktivitete në periudhën e ardhshme. Pres që deri në fund të muajit të dal para anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv me propozime për kandidatë për kryetarë komunash. Procedura është e tillë, pastaj shkon në Komitetin Qendror. Në takim, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv më autorizuan që në periudhën e ardhshme të propozojmë emra të rinj që do t’i zëvendësojnë ata që vendosën të kalojnë në përqafimin e Ali Ahmetit dhe të BDI-së, nga partia e Arben Taravarit”, tha Mickoski.
Ai nuk dha detaje për emrat e rinj, rotacionin në resorët dhe të ngjashme, ndërsa më shumë pritet të dihet javën e ardhshme.