I nderuar kryesues i senacës, z, Milloshovski,
të nderuar kolegë, të nderuara media dhe ju të dashur qytetarë,

Në materialin e përgatitur për interpelancë nga kolegët e grupit parlamentar të Së Majtës radhiten një sërë arsyesh, sipas meje të gjitha të pabaza, ndaj Kryetarit të Kuvendit, z. Afrim Gashi. Që ta argumentoj këtë konstatim, do të më lejoni t’i citoj disa nga këto: “Kryeparlamentari punon në mënyrë arbitrare”, “joprofesionale”, “të kundërligjshme” e kështu me radhë. Në të vërtetë, deri diku edhe i kuptoj kolegët e Së Majtës për qasjen e tillë, sepse fatkeqësisht është shumë e vështirë të besohet se në një mjedis politik kaq të kontaminuar me krim, korrupsion dhe abuzim me detyrën, mund të ketë edhe politikanë si z. Gashi, i cili përveç politikanit profesionist, për çka flet puna e tij, ka dëshmuar se i ruan me fanatizëm parimet e humanitetit, modestisë, urtësisë e maturisë, gjë që është përdëftuar edhe në raport me të gjithë ne si deputetë, por edhe me të punësuarit në Parlamentin e RMV-së. Kjo është një praktikë e re për shumicën e deputetëve, sepse në të kaluarën ishim mësuar e përballur me modelin e politikanit arrogant e mendjemadh, për të mos thënë edhe agresiv. Andaj, duke pasur në ulësen e kryetarit të Kuvendit një profil tjetër të politikanit, ky mund të mos jetë i pranueshëm si model për grupin parlamentar të Së Majtës.
Në materialin e interpelancës po ashtu numërohen shtatë arsye për interpelancë, e ku e përbashkëta e të gjithave është qasja antieuropiane e anti-NATO, arsye të cilat flasin se parashtruesit e tyre janë kundër çdo parimi demokratik me të cilin funksionion ky shtet dhe ky kuvend i popullit. Të thuhet se Afrim Gashi, Kryetari i Kuvendit të RMV-së, në mënyrë të pandërgjegjshme dhe të papërgjegjshme e kryen funksionin e tij publik dhe nuk respekton Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit, kjo nuk mund të jenë asgjë më shumë sesa shpifje ordinere!
Megjithatë, më lejoni të ndalem dhe të shpreh qëndrimet dhe shqetësimet e mia për të cilat ndjej obligim moral e njerëzor si përfaqësuese e votuesve të mi. Janë tri pika për të cilat unë do të diskutoj: “Cenimi i shtetit sekular”, “Cenimi i normave diplomatike për sigurimin e personave VIP” dhe “Cenimi i përdorimit të gjuhës maqedonase”.

Sa i takon pikës së parë të arsyetimit të interpelancës, ajo është marrë si argument për shkak të përkujtimit të 11 Korrikut – Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Ju e keni shfrytëzuar këtë rast për të ofenduar komunitetin musliman dhe gratë muslimane me mbulesë, pjesë e të cilit komunitet jam edhe unë. Pavarësisht se mungon konsiderata juaj ndaj meje si kolege, por edhe si një ndër deputetet e pakta që mora pjesë në shënimin e gjenocidit të Srebrenicë dhe kisha fjalë në atë seancë, më duhet t’ju them se të thirresh në shkelje të shtetit sekular në çastin kur nderohen viktimat e gjenocidit, siç është ai i Srebrenicës, dhe të akuzohet Kryeparlamentari për një vepër kaq humane, në të cilën është përcjellë mesazhi se gjenocidi duhet të kujtohet për mos t’u harruar e për mos t’u përsëritur asnjëherë, duke pasur parasysh faktin që në grupin tuaj parlamentare ka edhe përfaqësues nga komuniteti boshnjak, kjo jo vetëm që është e papranueshme, por është edhe e turpshme.
Për fat të keq, unë sot këtu, në kuvendin e RMV-së, ndjehem e ofenduar nga kolegët e mi deputetë. Më shumë se kaq më dëshpëron deputeti boshnjak i grupit parlamentar të Së Majtës, i cili as si boshnjak as si mysliman, së paku për nga emri, nuk duhej të lejonte që të bëhet kjo. Ne, deputetët e tjerë, shqiptarë e maqedonas, të krishterë e myslimanë, e kujtojmë gjenocidin ndaj boshnjakëve të Srebrenicës dhe në vend se ai të marrë pjesë në atë seancë, të ketë fjalë e të falënderohet që ne të gjithë po shfaqim kujdes për boshnjakët e tij, ai – si deputeti i vetëm boshnjak në këtë sallë – as nuk merr pjesë në atë ngjarje, por madje i gjykon ata që kanë marrë pjesë në të, duke filluar nga kryetari Gashi që – gjatë njëminut heshtjes – është lutur në heshtje për shpirtrat e bashkëkombësve të tij, e pastaj më ka sulmuar personalisht mua që kam qenë deputetja e vetme me mbulesë në atë ngjarje. Për të mos u mjaftuar me kaq, kolegët e Së Majtën, në materialin e interpelancës – në paragrafin D, të cilin e cilësoj si një ndër paragrafët më antidemokratik, ku cenohen edhe liritë dhe të drejtat e njeriut, thonë se qenka vepër antisekulare që disa gra në ngjarjen kritike, në mënyrë të palejueshme dhe të paligjshme, kishin veshur veshje fetare [“hixhab”]. Në mesin e këtyre grave kam qenë edhe unë personalisht. Se do të ndjehem e ofenduar nga kolegë me të cilët ndajmë të njëjtin ambient pune, këtë nuk e kam pritur, por u qoftë për nder atyre që e kanë bërë këtë. Sidoqoftë, këtu dua t’jua kujtoj se kjo e drejtë është e garantuar me KUSHTETUTË. Në neni 19 të saj garantohet liria e besimit fetar. Aty garantohet shprehja e lirë dhe publike e fesë, individualisht ose në bashkësi me të tjerët, po e theksoj edhe një herë “individualisht ose në bashkësi me të tjerët”. Por, kjo nuk mbaron këtu, sepse ofendimi juaj vazhdon edhe më tej, duke thënë se mbulesa qenka nënshtrim dhe prapambetje kulturore e gruas myslimane që e pengon atë të jetë pjesë e jetës shoqërore, kulturore dhe ekonomike në vend. Ky është gjykim shumë pretencioz. Mbulesa është dispozitë e veshjes së miliona grave të përkatësisë islame në botë. Përveçse në Kinën tuaj, gjithë bota e qytetëruar ka respekt për këtë kulturë të veshjes së grave myslimane. Rrjedhimisht, universitetet amerikane, britanike, gjermane e tjera janë plot me profesoresha myslimane. E të mos flas për botën turke ku kemi ministre, rektore, madje edhe ushtarake të nivelit të lartë që janë gra me mbulesa. Mbulesa nuk e ndryshon identitetin intelektual të njeriut dhe nuk mund të më bind askush se zhveshja e gruas është emancipim, ndërsa veshja prapambeturi. Për këtë mund të debatojmë kur të doni, ku të doni e sa të doni, por dijeni se gjithnjë do ta keni gabim. Siç nuk marr guxim e të drejtë ta gjykoj askënd për zhveshjen, më duket tejet e ulët që dikush të më gjykojë për veshjen. Kam punuar si profesoreshë universitare, aktiviste organizatave civile, administratore e çështjeve sociale, kam bashkëpunuar me të krishterë e ateistë, por kurrë askush nuk e ka shtruar çështjen e shamisë sime. Këtë për fat të keq e shoh vetëm në këtë kuvend të popullit nga ky grup komunistësh të perënduar.

E derisa jam në këtë pikë, më duhet ta theksoj fjalinë e paragrafit C të pikës së parë se “të pranishmit në sallë ishin të detyruar të marrin pjesë në rituale fetare”. Kjo është e tepërt!, Në atë sallë ka pasur edhe deputetë të tjerë dhe ata mund të dëshmojnë se a ka pasur detyrim. Ju ose nuk e kuptoni se çka është rit fetar ose shtireni se nuk e kuptoni. Nëse keni mangësi informacioni, për këtë mund t’ju ndihmoj, ama nëse dëshironi të konstruktoni teza që i shërbejnë agjendës suaj, këtë nuk mund t’jua lejojmë ashtu lehtë. Ajo ngjarje është organizuar nga organizatat boshnjake dhe kryetari i Kuvendit ka qenë mysafir. E dyta, se si ai e bën heshtjen për respekt të viktimave të gjenocidit, kjo është zgjedhje e tij dhe e secilit nga ne. A nëse ju mendoni se ekstremizmi sekular duhet ta përjashtojë edhe lutjen nga jeta e njerëzve besimtarë, më duhet t’ju dëshpëroj, por kjo nuk kalon. Ju po ëndërroni për një botë pa fe, sepse mbase ende jetoni në bindjen e profetit tuaj Karl Marks, i cili e quante religjionin “opium për popullin”. Por, po harroni se jemi në shek. XXI dhe se idetë marksiste kanë falimentuar, ndërsa besimi në Zot ka ngadhënjyer.
Ju e akuzoni Afrim Gashin për qasje antisekulare. Prandaj më duhet t’ju pyes: në cilin moment shihen aktiviteti antisekular? Nëse përkujtimi i viktimave të gjenocidit qenka kërcënim për sekularizmin e shtetit dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi, natyrshëm lind pyetja a duhet të harrohet një gjenocid i tillë dhe të kalohet në heshtje apo komunitetit boshnjak në vend të mos i jepet mundësia e përkujtimit të një ngjarjeje kaq të ndjeshme? Mos ndoshta kështu ju kanë porositur ata që qanin kur në OKB miratohej rezoluta kundër gjenocidit në Srebrenicë?!
Të nderuar, meqë i keni gabuar konceptet, më duhet ta shpjegoj se sekularizmi nuk është fe që i përjashton fetë e tjera, por është një hapësirë neutrale, ku të gjithë ndjehen të lirë që ta ushtrojnë besimin e tyre. Siç thotë profesori i Universitetit të Kembrixhit, Abdullah Ahmed Ah Naim, “Sekularizmi ka nevojë për fenë. Ai ofron një burim të pranuar gjerësisht të udhëzimit moral për komunitetin politik, por edhe për të ndihmuar në plotësimin dhe disiplinimin e nevojave jopolitike të besimtarëve brenda atij komuniteti. Nga ana tjetër, feja ka nevojë për sekularizëm, për të ndërmjetësuar marrëdhëniet midis komuniteteve të ndryshme (qoftë fetare, antifetare ose jofetare) që ndajnë të njëjtën hapësirë politike ose hapësira e arsyes qytetare”. Nëse doni, diskutojmë edhe për dimensionet teorike të sekularizmit, por gjykoj se qasja juaj nuk ju lë të dilni përtej matricës së “opiumit” të Marksit tuaj.

Sa i përket pikës së dytë, Cenimi i normave diplomatike për sigurimin e personave VIP, përsëri aty keni prekur një nga çështjet mjaft delikate, atë të mbrojtjes së një gruaje, në këtë rast edhe presidente e një vendi fqinj. Ky është edhe një fakt që nuk më lë indiferente. Në vend se të flasim për përmirësimin e shërbimeve dhe të kërkohet përgjegjësi institucionale që çdokush të ndjehet i sigurt kur vendos të udhëtojë nga shteti ynë, ju – të nderuar kolegë – e akuzoni kryetarin Gashin për masat që ka marrë për parandalimin e një incidenti që nuk dihej si përfundonte. Megjithatë, kam përshtypje se edhe në këtë rast ju ka mundur alabanofobia dhe juve ju pengon që Afrim Gashi ka shprehur mbështetje e respekt për presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Si parti që keni kërkuar të tërhiqet njohja ndaj Kosovës, është e kuptueshme se për juve do të ishte sukses të dëmtohej presidentja Osmani, qoftë kjo edhe me çmimin e dëmtimit të marrëdhënieve tona të mira fqinjësore. Ju po harroni se marrëdhëniet e mira me Kosovën janë investim në marrëdhëniet e mira ndëretnike edhe në Maqedoni të Veriut. E nëse ju doni ta ndizni flakën mes shqiptarëve e maqedonasve, kjo sjellje piromane duhet të jetë shqetësim edhe për organet e sigurisë. Afrim Gashi është kujdesur në këtë rast për një grua, për një shqiptare, për një presidente të një vendi fqinj dhe për marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore të vendeve tona. Nëse ky është faj, atëherë ne të gjithë jemi fajtorë njësoj si ai.

Pika e fundit për të cilën dua të flas është pika e tretë e interpelancës – Cenimi i përdorimit të gjuhës maqedonase. Është interesant se aty nuk mund ta fshihni nëntekstin e albanofobisë dhe urrejtjes ndaj komunitetit të dytë shtetformues në këtë vend dhe të drejtave dhe lirive të garantuara me kushtetute.
Të nderuar, në Amendamentin V-1 të kushtetutës së RMV-së shkruan saktë “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen.” Edhe Rregullorja e Kuvendit të RMV-së, në nenin 3 dhe paragrafët 1, 2, 3 dhe 4, na e garanton po ashtu këtë të drejtë. Gjuha shqipe nuk e dëmton hapësirën e gjuhës maqedonase, por e ndihmon hapësirën e mirëkuptimit, mirëbesimit dhe komunikimit mes shqiptarëve dhe maqedonasve në këtë shtet. Duke u bazuar në kushtetutë dhe në rregulloren e sipërpërmendur, akuzat tuaja jo që janë të pabaza dhe shpifje, por mund të them se janë të trilluara. Në Maqedoni të Veriut, rrjedhimisht edhe në këtë kuvend dhe nga ky kryetar i Kuvendit, respektohen denjësisht dispozitat kushtetuese për përdorimin e gjuhës maqedonase dhe të gjuhës shqipe. Veç për dispozitat e albanofobisë suaj nuk ka zgjidhje.

Po e përfundoj fjalën time duke ju ftuar që gjeni kurajën dhe t’i kërkoni falje kryetarit Afrim Gashi për këto kualifikime të pabaza. Do t’u bënte mirë juve që të gjeni kurajën t’u kërkoni falje edhe gjithë shqiptarëve dhe myslimanëve, veçmas grave shqiptare e myslimane të këtij shteti, që i keni paragjykuar dhe stigmatizuar me kualifikime ofenduese, ndërsa do të ishte mirë që ta tërhiqni këtë interpelancë, sepse sa më shumë që flisni për të, veç më shumë e dëmtoni kohezionin ndëretnik e ndërfetar në këtë shtet dhe e rrezikoni stabilitetin e këtij shteti, për çka të gjithë jemi të detyruar të kujdesemi njësoj. Uroj të ndërgjegjësoheni e të mos vazhdoni me këtë qasje të rrezikshme dhe të dëmshme.

Ju faleminderit!