Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi foli në ngjarjen kushtuar Procesit të Berlinit, për të shënuar edhe një dekadë pjesëmarrje të RMV-së në këtë proces. Gashi tha se ky proces ka qenë një shtytës shumë i rëndësishëm për RMV-në dhe rajonin, drejt BE-së dhe demokratizimit të vendit. Në vazhdim fjalimi i plotë.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që sot – në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut kemi mundësinë të diskutojmë për progresin e vendit tonë në kuadër të Procesit të Berlinit.

Dhe kjo në periudhën kur po i vjen fundi një dekade që nga fillimi i kësaj iniciative, e cila në vitet e kaluara nënkuptonte kontribut të madh në forcimin e lidhjeve midis vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Si dhe për forcimin e potencialeve të tyre në rrugën drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në BE.

Realizimi i kësaj platforme, të inkurajuar dhe të mbështetur nga partnerët tanë evropianë, solli një sërë përfitimesh për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për rajonin në tërësi. Sidomos në fushat kryesore – ekonominë, politikën dhe sigurinë, mbrojtjen sociale dhe ekologjinë, për çfarë flasin më shumë raporte të monitorimit.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova) kanë një qëllim të përbashkët, që është anëtarësimi i plotfuqishëm në BE.

Ky është destinacioni përfundimtar drejt të cilit po shkojmë – secili në mënyrën tonë, por përgjatë një trajektoreje të ngjashme. Më pas, duke u përballur secili me sfidat e veta, por edhe me sfidat e përbashkëta…

Dhe gjatë kësaj rruge, kuptojmë se fillimisht në shtëpi, në fqinjësinë tonë dhe në mjedisin e afërt, duhet t’i ndërtojmë dhe kultivojmë vlerat dhe kriteret evropiane. Se fillimisht duhet të bashkëpunojmë me fqinjët tanë dhe të punojmë së bashku për t’i rritur standardet e jetesës në vendet tona, në mënyrë që të sigurojmë biletë për të hyrë në familjen e gjerë të BE-së.

Në këtë kontekst, Procesi i Berlinit në dekadën e kaluar luajti rol shumë të rëndësishëm si shtytës i bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtues i proceseve integruese.

Formati gjithëpërfshirës i këtij procesi është shfaqur si katalizator për integrimin ekonomik, investimet dhe projektet e lidhjes – që synojnë pajtimin, sigurinë, rritjen, punësimin dhe zhvillimin.

Në kuadër të procesit dhe si rezultat i bashkëpunimit të ndërsjellë, janë arritur hapa të rëndësishëm në fushën e tregut të përbashkët rajonal dhe digjitalizimit, si dhe në agjendën e gjelbër dhe de-karbonizimin.

Duke folur për të gjitha këto procese reformuese, nuk mund të anashkalohet roli i parlamenteve, si bartës të pushtetit ligjvënës dhe si urë lidhëse midis pushtetit ekzekutiv dhe qytetarëve.

Dimensioni parlamentar është me rëndësi vendimtare për sigurimin e kontrollit demokratik, transparencës dhe llogaridhënies në zbatimin e projekteve që rezultojnë nga procesi i Berlinit.

Parlamentet në të gjashtë shtetet e Procesit të Berlinit janë vendet e duhura për diskutim për sfidat e përbashkëta dhe zgjidhjet e mundshme. Për përsosjen e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal, për përfshirjen e shoqërisë civile në procese, për promovimin e agjendës së integrimit dhe për afirmimin e përfitimeve dhe rëndësisë së anëtarësimit në BE.

Në dekadën e fundit janë shënuar disa suksese, marrëveshje të arritura dhe projekte konkrete në fusha të ndryshme në kuadër të procesit të Berlinit. Megjithatë, vlerë plotësuese në këtë drejtim duhet të jetë përparimi i bashkëpunimit parlamentar në nivel rajonal, duke përfshirë bashkëpunimin me deputetët e Parlamentit Evropian dhe parlamentet nacionale të vendeve anëtare të BE-së.

Me këtë do të kontribuohet në shkëmbimin e ideve dhe përvojave dhe në ngritjen e cilësisë së zgjidhjeve ligjore që dalin nga marrëveshjet e lidhura, si dhe në forcimin e rolit mbikëqyrës të deputetëve në zbatimin e ligjeve të miratuara”, deklaroi Gashi.