“Akademia shqiptare është projekt shkencor ku duhet të avancohet mendimi akademik”, thonë nga VLEN.
“Duke qenë se shqiptarët janë sistematikisht të diskriminuar në ASHAM, intelektualët shqiptarë nuk kanë një hapësirë ku të veprojnë. Për këtë arsye, ne detyrohemi të krijojmë një platformë që do të mundësojë zhvillimin e mendimit shkencor.
Ndërkohë që ASHAM tregon ngurtësi ndaj reformave dhe refuzon të pranojë realitetin e tanishëm faktik, intelektualët shqiptarë janë të detyruar të krijojnë platform që nuk do të operojë sipas politikës apo kritereve etnike, por vetëm në bazë të shkencës”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
“Në shekullin 21 është e papranueshme që të ketë kundërshtime ndaj punimeve shkencore dhe avancimit të diturive.
U bëjmë thirrje të gjitha partive politike që në vend që të kritikojnë të marrin guximin dhe të japin mbështetje ndaj kësaj nisme, në mënyrë që përmes një debati gjithëpërfshirës të gjendet një zgjidhje e drejtë për përfaqësimin e shqiptarëve në qarqet më të larta akademike. Si VLEN, nuk mund të pranojmë logjikën e negacionit të dyfishtë, ku ASHAM nuk hap dyert gjerë e gjatë për shqiptarët, dhe njëkohësisht problematizohet themelimi i Akademisë Shqiptare”, theksojnë nga VLEN-i.