Sot, koalicioni VLEN në një atmosferë moderne dhe evropiane, me sloganin “Kalojmë në vepra”, shënoi i pari nga koalicioni qeveritar 100 ditët e qeverisë së re, në një ngjarje ku morën pjesë liderët, ministrat, zëvendësministrat, deputetët dhe zyrtarë të tjerë të lartë dhe aktivistë. Në cilësinë e moderatorit, Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë dhe Transparencë, z. Arben Fetai, theksoi arritjet e rëndësishme të koalicionit, duke përfshirë ndarjen e 100 milionë eurove për komunat, rritjen e pensioneve, luftën kundër bixhozit, krijimin e 600 vendeve të reja pune për mjekë specializantë, si dhe themelimin e Akademisë Shqiptare. “VLEN nuk është thjesht një alternativë për BDI-në, por një revoltë e kanalizuar që synon ndryshimin e mirëpritur për shqiptarët. Kjo është një mundësi e dhënë nga populli, dhe ne do ta mbajmë këtë amanet me nder e përgjegjësi”, u shpreh Fetai. Kryetari i Alternativës, z. Zeqirja Ibrahimi, nënvizoi se VLEN ka treguar një dallim të dukshëm në këto 100 ditë. “Ata që nuk arritën asgjë për 22 vite, ne e kemi bërë ndryshimin në vetëm 100 ditë,” tha ai. Prioritetet e VLEN për të ardhmen përfshijnë reformën në administratën publike, tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Ndër të tjera, Ibrahimi spjegoi themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave si një hap të domosdoshëm për avancimin e intelektualëve shqiptarë. Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe zëvendëskryeministri i parë, z. Izet Mexhiti, deklaroi se VLEN përfaqëson një kualitet të ri në përfaqësimin politik të shqiptarëve. “Ne jemi liderë në qeveri, jo në seli. Koha kur liderët qëndronin larg përgjegjësisë qeveritare ka marrë fund. Tani, për çdo ditë, ne jemi në zyrat tona, duke zgjidhur problemet e qytetarëve,” u shpreh ai. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe ministri i Shëndetësisë, z. Arben Taravari, i cili u kyc me video lidhje nga SHBA-të, theksoi se qytetarët shqiptarë më në fund ndihen të liruar nga pushteti 22-vjeçar. “Po ndërtojmë një të ardhme ku fuqia qëndron në duart e popullit, jo në xhepat e të korruptuarve,” tha Taravari, duke shtuar se Ministria e Shëndetësisë tashmë po funksionon në shërbim të qytetarëve, larg korrupsionit. Kryetari i Lëvizjes BESA dhe kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, kritikoi BDI-në për dështimet e saj, veçanërisht në decentralizim. “VLEN është këtu për të ndrequr padrejtësitë dhe për të garantuar që komunat shqiptare të kenë decentralizim real, jo premtime boshe,” tha ai. Koalicioni VLEN në këto 100 ditë ka dëshmuar se posedon dituri, vullnet, integritet dhe fuqi reale për ndryshim. Ata potencuan se vijon një luftë institucionale për të sanksionuar të gjitha dukuritë devijuese të qeverisjes së kaluar dhe mbesin të përkushtuar për ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët e këtij vendi, me një qasje të ndershme, transparencë dhe konsistencë drejt përmbushjes së premtimeve parazgjedhore. Në këtë drejtim, në fund të ngjarjes, të gjithë zyrtarët nga radhët e koalicionit VLEN nënshkruan deklaratën e pranimit të kodit të etikës, me të cilin morën përsipër të shërbejnë ekskluzivisht në interes të qytetarëve dhe do t’i respektojnë të gjitha standardet më të larta demokratike në ushtrimin e kompetencave publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *