Me ftesë zyrtare të kompanisë Knauf, gjatë këtyre ditëve u realizua një takim i rëndësishëm pune në selinë qendrore të kësaj kompanie, lider botëror në prodhimin e gipsit dhe produkteve të ngjashme. Vizita u zhvillua në qytetin Iphofen, Gjermani, ku ndodhet qendra drejtuese e mbi 320 fabrikave të Knauf në mbarë botën.
Kjo vizitë shënon herën e parë që një kryetar i Komunës së Dibrës viziton selinë qendrore të Knauf në Gjermani, një tregues i qartë i rëndësisë strategjike të bashkëpunimit midis dy palëve.
Në këtë takim morën pjesë:
• Tobias Stricket – Drejtor për Investime Strategjike në nivel global
• Thomas Krämer – Menaxher Teknik në nivel global
• Blendar Sela – Menaxher i fabrikës Knauf në Dibër
Gjatë diskutimeve u trajtua funksionimi i fabrikës ekzistuese në Dibër, investimet e realizuara deri më tani, si dhe planifikimi për ndërtimin e një fabrike të re me kapacitete dukshëm më të mëdha, me një vlerë investimi prej rreth 44 milionë euro.
Po ashtu, vizituam fabrikën e Knauf në Iphofen, e cila ndodhet në të njëjtin kompleks, ku u njohëm nga afër me proceset e prodhimit dhe standardet më të avancuara teknologjike, me theks të veçantë te siguria e lartë dhe zbatimi i të njëjtit standard global në të gjitha fabrikat e Knauf, pa përdorur praktika të pasigurta apo jo-standard. Kjo garanton që çdo investim i ardhshëm në Dibër do të jetë në përputhje të plotë me praktikat më të sigurta dhe moderne të industrisë.
Në kuadër të kësaj vizite, u zhvilluan edhe biseda fillestare për bashkëpunim ndërmjet Komunës së Dibrës dhe kompanisë Knauf në disa fusha me interes të përbashkët, me synim nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët tanë.
Dibra vazhdon të jetë pjesë e projekteve serioze, me vizion afatgjatë dhe investime konkrete për të ardhmen.




























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































