Ajo që nisi si sulm i Hamasit në jug të Izraelit, javën e kaluar, është përshkallëzuar në luftë.
Palestinezët në Gaza kanë raportuar për granatime të ashpra në qytetet jugore të Kan Younis dhe Rafah
Bombat izraelite kanë goditur juglindjen e Kan Younisit dhe perëndimin e Rafahut.
Por sulmet nuk i kanë ndaluar as militantët e Hamasit që të vazhdojnë breshërinë e raketave nga Gaza drejt Izraelit.
Të paktën 2.778 njerëz kanë mbetur të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, dhe mbi 9.700 të tjerë janë plagosur.
Aktualisht, numri i të vdekurve nga pala izraelite ka arritur në 1.400 persona, me të paktën 199 persona të marrë peng, ndonëse Hamasi ka raportuar për 200 deri në 250 sosh.
Izraeli ka urdhëruar mbi një milion palestinezë që të evakuohen nga veriu për në jug të Gazës, pasi dëshiron që të kryejë një sulm masiv ndaj militantëve palestinezë të Hamasit.
Banoret e mbetur, pos sulmeve ajrore, po përballen edhe me pakësim të furnizimeve.
OKB-ja paralajmëron për kolaps të plotë në spitalet e stërmbushura me njerëz të plagosur në Gaza.
Përveç mungesës së energjisë, civilët po përballen edhe me mungesë të ujit, duke bërë që shumë prej tyre të pinë nga ujërat e zeza dhe të ndotura, vetëm që të mbijetojnë.
OKB-ja ka njoftuar gjithashtu se më shumë se 400 mijë njerëz janë duke u strehuar në shkolla dhe objekte tjera të agjencisë, me vetëm 1 litër ujë në ditë për secilin.
Në vendkalimin Rafah, e cila është e vetmja lidhje e Gazës me Egjiptin, kamionë të shumtë me ndihmë janë bllokuar, ndonëse të hënën u raportua për një marrëveshje për armëpushim dhe hapje të kufirit në Rafah. Por edhe të martën ai vazhdon të jetë i mbyllur.
Është konfirmuar gjithashtu se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të zhvillojë një vizitë të lartë në Izrael të mërkurën, derisa ky shtet po përgatitet për t’i shtuar sulmet ndaj grupit të Hamasit.
Vizita e Bidenit do të shënojë një mbështetje të rëndësishme të SHBA-së për aleatin kryesor në Lindjen e Mesme, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor.
E në një konferencë të përbashkët shtypi me kancelarin gjerman Olaf Scholz, në Berlin, Mbreti Abdullah II i Jordanisë ka deklaruar se Jordania dhe Egjipti nuk janë të gatshëm të pranojnë ndonjë refugjat palestinez.
“Kjo është një vijë e kuqe… jo refugjatë në Jordani dhe gjithashtu jo refugjatë në Egjipt. Kjo është një situatë që duhet trajtuar brenda Gazas dhe Bregut Perëndimor”, ka thënë Mbreti Abdullah II i Jodanisë.
Scholz ndërkohë bëri thirrje për dërgimin e ndihmave humanitare për civilët në Gaza.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë për të “diferencuar” se “palestinezët nuk janë Hamas dhe Hamasi nuk ka të drejtë të flasë për ta”.
“Edhe populli palestinez i Gazës është viktimë e Hamasit”, ka thënë kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Në vizitën e tij të dytë brenda një javë në Izrael, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, bëri të ditur se SHBA-ja dhe Izraeli janë dakorduar që të zhvillojnë një plan për të mundësuar arritjen e ndihmave humanitare për civilët në Gaza.
© KOHA.















































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































