Sot në Shkup u mbajt Forumi i Investimeve dhe i Tregtisë “Maqedoni e Veriut-Türkiye, raporton Anadolu.
Në hapjen e forumit të organizuar nga Qendra e Kërkimeve Strategjike Ballkanike (BASAM) në kampusin e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), morën pjesë zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Maqedonisë së Veriut dhe deputeti Beycan İlyas, deputeti Bekim Qoku, kryetari i Lëvizjes së Unitetit Kombëtar Turk (TMBH) Erdoğan Saraç, kryetari i Komunës së Manisas në Türkiye Turgutlu Çetin Akın, drejtues dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe ekonomisë, institucioneve dhe organizatave turke në vend, përfaqësues të institucioneve vendore dhe shumë biznesmenë e mysafirë.
Në fjalën e tij në hapje të programit, Mexhiti shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë forum të rëndësishëm dhe tha se kanë një mundësi të shkëlqyer për të pasqyruar lidhjet e tyre të forta dhe potencialin që kanë.
Duke theksuar bashkëpunimi midis dy vendeve ka sjellë shumë dobi, Mexhiti tha: “Investimet turke ne Maqedoninë e Veriut kanë ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe krijimin e vendeve të punës duke kontribuuar në stabilitetin dhe rritjen ekomomike të Shkupit, Tetovës, Gostivarit e Maqedonisë së Veriut në përgjithësi”.
Ai tha se Forumi i Investimeve dhe i Tregtisë luan një rol të rëndësishëm, duke shtuar kjo ofron një platformë për shkëmbimin e ideve.
Ndërkaq, ambasadori Ulusoy theksoi gjithashtu se Türkiye dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende me lidhje të thella historike dhe kulturore dhe marrëdhënie të nivelit të lartë.
Duke vënë në dukje se synojnë të rrisin vëllimin e tregtisë me Maqedoninë e Veriut nga 1 në 2 miliardë dollarë dhe të rrisin shumën e investimeve, që aktualisht është rreth 2 miliardë dollarë, Ulusoy tha:
“Përditësimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë aktualisht në fuqi do të japë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e tregtisë sonë. Ne dëshirojmë që vendi ynë të forcojë pozitën e tij si një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe të investimeve të Maqedonisë së Veriut. Ne jemi të vetëdijshëm për potencialin që ofron Maqedonia e Veriut, veçanërisht në infrastrukturë, ndërtim, industrinë e mbrojtjes, energji dhe turizëm”.
Presidenti i BASAM-it dhe ish-deputeti i parlamentit turk, Rifat Sait, gjithashtu uroi që forumi të shkojë mirë dhe ndau dëshirën e tij që miqësia dhe tregtia me Maqedoninë e Veriut të rritet.
Duke u shprehur se dëshirojnë që dy vendet vëllazërore të realizojnë gjëra të mira së bashku, Sait tha: “Këto forume, këto negociata tregtare janë të favorshme në këtë drejtim. Shpresoj se do të jetë i dobishëm”.
Rektori i IBU-së, Prof. Dr. Lütfi Sunar, e përshkroi IBU-në si një nga urat më të rëndësishme ndërmjet Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut dhe tha se rreth 2 mijë studentë nga Türkiye dhe po aq nga Maqedonia e Veriut dhe vendet e rajonit ndjekin studimet në këtë universitet.
“Ngjarje dhe aktivitete të këtilla zhvillohen herë pas here gjatë gjithë vitit. Ne presim shumë akademikë, studiues dhe njerëz të biznesit këtu. Shpresoj që ky forum do të ndihmojë në zhvillimin e marrëdhënieve reale të biznesit, rritjen e kapaciteteve të importit dhe eksportit midis vendeve tona dhe krijimin e fushave të reja të biznesit”, tha Sunar.
Në kuadër të programit, fjalë përshëndetëse patën Mendi Qyra, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Trajan Angeloski, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, dhe Hakim Suma, nënsekretar i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, ndërsa po ashtu u ndanë pllakata për ata që kontribuuan në organizimin e forumit.
Pas fjalimeve hapëse të programit, në të cilin performoi ekip i folklorit, u zhvilluan panele dhe takime B2B.
AA