Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, gjatë seancës së pyetjeve të deputetëve në Kuvendin e RMV-së, iu përgjigj kritikave të opozitës, duke theksuar se Qeveria është e fokusuar në zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve.
Ai nënvizoi se prioritet mbetet adresimi i mangësive të trashëguara nga e kaluara.
“Ne jemi të detyruar të merremi me korrigjimin e gabimeve të së kaluarës, duke ofruar zgjidhje për këto probleme. Andaj ne nuk merremi me propagandën e opozitës”, deklaroi Sali.
Duke folur për parimet e punës së Qeverisë, ai theksoi rëndësinë e transparencës dhe përgjegjshmërisë në vendimmarrje.
“Transparenca dhe përgjegjshmëria mbeten parimet tona udhëheqëse dhe pikërisht për këtë edhe puna jonë dallon qartë nga përbërjet e kaluara qeveritare”, u shpreh ai.
Në të njëjtën kohë, Sali bëri të ditur një zhvillim konkret në fushën e arsimit juridik. “Provimi i jurisprudencës do të jetë në gjuhën shqipe”, theksoi ai.
Zëvendëskryeministri shtoi se institucionet do të vazhdojnë të jenë pranë qytetarëve, duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe duke ofruar zgjidhje konkrete në interes të përgjithshëm.



























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































