Ambasadori i BE-së në RMV Michalis Rokas, sot ka qëndruar në Tetovë ku është takuar me kryetarin e komunës Bilall Kasami, ndërsa tha se bashkëpunimi me komunën është i shkëlqyer, ndërsa përmendi disa projekte të përbashkëta.

Ai foli edhe për rrugën e Maqedonisë së Veriut në BE, ndërsa tha se prioritet i BE-së mbetet procesi i zgjerimit.
“Ka shumë aktivitete diplomatike për këtë çështje, siç e dini kryeministri ishte në Bruksel për t’u takuar me lidershipin, javën e ardhshme do të jetë Samiti për Ballkanin Perëndimor. Besoj që BE e ka bërë të qartë që procesi i zgjerimit është prioritet duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, lidershipi i ri po punon shumë për të bërë këtë realitet. Ne do të ndihmojmë në procesin e reformave për të realizuar këtë qëllim, kështu që çfarëdo përkrahje është e mirëseardhur”, tha Rokas.

Ndërsa i pyetur për vendosjen e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit në “listën e zezë” amerikane, Rokas tha se për këto raste duhet të veprojë edhe sistemi i drejtësisë në vend.

“Ne e shikojmë listën e zezë të SHBA-së, ajo që ka rëndësi është që sistemi i drejtësisë të veprojë, jo vetëm për këtë rast, por për çdo rast të korrupsionit në vend me qëllim që të sigurohet se gjyqësia është e pavarur, ka shumë rekomandime nga BE për gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut se si të jenë të pavarur”, tha Rokas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *