Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten ka njoftuar se shumë shpejt do të jetë për një vizitë në Kosovë, për të treguar, siç thotë ai, mbështetjen pasi kryeministri Albin Kurti pranoi planin e ri të Bashkimit Evropian, ku përfshihet edhe drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një postim në rrjetin social X Rama ka thënë se Shqipëria do të mbështesë fuqishëm Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe “do të vazhdojë të luajë rolin e saj në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal”.
“Nuk mund të jem më krenar për kontributin e vendosur dhe konkret të Shqipërisë në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, draftstatuti i Asociacionit, i pranuar nga Kosova dhe Serbia si dokument i përshtatshëm pune, është draft i BE-së. Shqipëria do të mbështesë fuqishëm Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal ndërmjet të gjitha vendeve të fqinjësisë sonë. Së shpejti do të shkoj në Prishtinë për të treguar personalisht mbështetjen time”, ka shkruar Rama në X./21Media

















































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































