Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Postës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi, së bashku me Zv. Ministren e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, realizuan një vizitë në Qendrën Postare Shkupi 2. Vizita u fokusua në vëzhgimin e gjendjes aktuale të objektit dhe kushtet e punës me të cilat përballen punëtorët.
Gjatë kësaj vizite, u theksua domosdoshmëria e përmirësimit të kushteve të punës dhe sigurisë për punëtorët e postës. Z. Kurtishi nënvizoi angazhimin për krijimin e një ambienti më të përshtatshëm dhe më të sigurt, duke siguruar kushte më të mira për realizimin e detyrave të tyre.
“Kjo është një hap i rëndësishëm në përpjekjet tona për të përmirësuar shërbimet postare dhe për të siguruar një trajtim më të mirë për të gjithë ata që kontribuojnë në sistemin postar,” theksoi ai. Vizita në Qendrën Postare Shkupi 2 shënon një pikënisje për ndryshimet e pritshme, që synojnë të rrisin cilësinë dhe efektivitetin e shërbimeve postare në vend.